Thaçi kërkon mbështetje për dialogun

Aktuale November 12, 2018 - 09:58
Detajet

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris prej ku ka kërkuar mbështetje për forcimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i cili është duke u bërë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, transmeton “zëri.info”.

“Në Forumin e Paqes në Paris kërkova që të mbështeten përpjekjet tona dhe të Evropës për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Ballkanit e njohin shumë mirë konfliktin e interesave, ndikimeve dhe ideologjive. Por, bota demokratike assesi nuk duhet të lejojë që forcat shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet dhe kryeqytetet e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë”, ka shkruar Thaçi në një postim në “Facebook”.

LEXO EDHE: Uashingtoni mbështet Thaçin dhe Vuçiqin në arritjen e marrëveshjes

Tutje ai planet e Serbisë ndaj Kosovës i ka quajtur destruktive që synojnë thyerjen e Evropës dhe shembjen e standardeve demokratike.

“Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme. Por, derisa ata e dinë shumë mirë pse e kundërshtojnë paqen në mes Kosovës e Serbisë, edhe ne e dimë shumë mirë pse duhet të angazhomi me çdo forcë që ta arrijmë atë”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Thaçit, Kosova dhe Serbia i kanë borxh vetvetes por edhe gjeneratave të reja zhdukjen e frontit që ka lënduar rajonin me shekuj.

“Popujt tanë ia kanë borxh vetvetes dhe gjeneratave të reja që ta zhdukin vijën e frontit që ka lënduar rajonin tonë me shekuj. Ia kemi borxh edhe Evropës, sepse është e vetmja rrugë që mund të garantojë lirinë e qytetarëve tanë, respektin për të drejtat fondamentale të njeriut dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona”, përfundon postimi i tij. /ZËRI