Uashingtoni mbështet Thaçin dhe Vuçiqin në arritjen e marrëveshjes

Aktuale November 12, 2018 - 09:28
Detajet

Zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, George Kent ka thënë se Uashingtoni do vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe Serbinë në arritjen e një marrëveshje.

Kent ka deklaruar se për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, SHBA mbështet presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit serbë dhe kosovarë së bashku t’i kalojnë të gjitha çështjet”, është shprehur Kent për ‘Danas’, transmeton lajmi.net.

LEXO EDHE: Sholtes: Disa shtete të BE-së kanë mëdyshje për heqjen e vizave

Ai ka shtuar se ende ka probleme të pazgjidhura dhe jo vetëm kundër Kosovës.

“Ka ende probleme të pazgjidhura për shkak të konflikteve që janë rezultat i veprimeve agresive të ish presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, jo vetëm kundër Kosovës por edhe kundër Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka përfunduar Kent.

Vlen të theksohet se dje presidenti i vendit, Hashim Thaçi është takuar me homologun e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Pas takimit, Thaçi deklaroi se Trump e mbështet 100 për qind një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.