A do të bashkëpunojë opozita me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë?

Aktuale November 10, 2018 - 19:57
E fundit
Image

Lista Serbe(LS) ka hapur derën për bashkëpunim me të gjithë ata që janë pro rrëzimit të qeverisë Haradinaj. Kjo ofertë nga kjo parti ka ardhur pas shtimit 10% të taksës për produktet që hynë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në Kosovë.

“Operacionet tona në Parlament të Prishtinës tani do të jenë në opozitë të plotë, ne nuk do t`i mbështesim sugjerimet nga Qeveria, ne do të mbështesim çdo propozim për të rrëzuar Qeverinë, për shkak të masave të tilla dhe qëndrimit të autoriteteve ndaj interesave tona, ndaj Serbisë dhe Rajonit”, thuhet në komunikatën lëshuar nga Lista Serbe, ku më tutje Qeverisë së Kosovës i kanë dhënë ultimatum për heqjen e menjëhershme të kësaj takse.

Gatishmëri për tu bashkuar me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, nuk kanë shprehur parti opozitare. Nënkryetarja e lëvizjes “Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha- Kollçaku në një prononcim për “Zërin”, ka deklaruar që kjo parti në asnjë mënyrë nuk do të bashkëpunoj me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë.

“Kjo qeveri që nga fillimi ka qenë komplet e varur nga Lista Serbe ndërsa konstituimi i kësaj qeverie pikërisht është bërë duke falënderuar Listën Serbe cila është direkt e dirigjuar nga Serbia  Ne si opozitë jemi për zgjedhje. Për sa i përket Listës Serbe ata i kanë veprimet komplet të ndara nga ne. Ne  nuk do të pranojmë asnjë bashkëpunim”, ka thënë ajo.

Për nënkryetaren e VV-së Lista Serbe është një fatkeqësi e qeverisë qysh nga formimi dhe nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e rrëzimit të qeverisë po nga LS.

LEXO EDHE: Lekaj: Lista Serbe duhet të heq dorë nga kërcënimet boshe

“Fatkeqësia e kësaj qeverie është që është themeluar me votat e Listës Serbe dhe tërë kohën kanë qenë të kushtëzuar nga Lista Serbe dhe tashmë që ata janë të koordinuar me Beogradin e jo me neve por sidoqoftë kjo është fati i kësaj qeverie që është themeluar dhe ndoshta edhe do të rrëzohet me votat e Listës Serbe”, ka potencuar ajo.

Në anën tjetër nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri në një deklaratë të dhënë sot për media nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me LS për rrëzimin e qeverisë. Ai ka thënë që LDK ende nuk ka diskutuar një gjë të tillë por që sipas tij kjo parti merr vendime në favor të stabilitetit të vendit.

“Shpresojmë shumë që mos të jetë vetëm deklaratë për konsum ditor dhe për t’i bërë presion Qeverisë për taksën 10 për qind që është aplikuar kundër Serbisë. Ne ende nuk kemi marrë qëndrim sa i përket zhvillimeve gjithçka që është në funksion të stabilitetit të vendit do të shqyrtohet seriozisht. LDK nuk e ka diskutuar. Jemi duke e përcjell me kujdes të veçante dhe me kohë do ta vlerësojmë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa shefi i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi , në një prononcim për “Zërin”, ka deklaruar që LS nuk e përcakton as të tashmen por as të ardhmen e Qeverisë e as të shtetit të Kosovës. Deklaratat e lëshuara nga kjo parti Krasniqi i ka quajtur shantazh.

“Teket e Listës Serbe nuk e përcaktojnë as të tashmen e as të ardhmen e Qeverisë së Kosovës, e aq me pak të shtetit te Kosovës. Vendimet e institucioneve te Republikës së Kosovës nuk do të kushtëzohen nga shantazhet e tyre”, ka deklaruar Krasniqi për “Zërin”.

Ndërsa anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur optimist që nuk do të ketë zgjedhje së shpejti. Ai ka thënë që LS duhet të heq dorë nga kërcënimet boshe.

“Qeveria Haradinaj respekton të gjitha obligimet kushtetuese ndaj partnerëve të koalicionit. Por të gjithë duhet ta kenë të qartë se ekzekutivi i Republikës së Kosovës merr vendime të pandikuara nga shtetet fqinje. Prandaj edhe Lista Serbe duhet të heq dorë nga kërcënimet boshe dhe ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se janë qytetarë të Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Ne do të vazhdojmë të qeverisim me vendin pavarësisht se çdo javë po “bie qeveria” herë nga Lista Serbe e herë nga të tjerët. Nuk kemi frikë nga zgjedhjet ndonëse ato janë larg”, ka shkruar Lekaj. /ZËRI