Procesi i dialogut, jotransparent

Aktuale November 10, 2018 - 18:51
Lexo detajet!

Përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se pala serbe kishte përdorur diskurs të ashpër në këtë takim, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërcënoi me mosvazhdim të dialogut nëse Kosova nuk e heq taksën doganore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithëkëtë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i negociatave mes dy shteteve nuk mund të ndërpritet në asnjë mënyrë, shkruan "Zëri". 

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si jotransparent procesin e negociatave me Serbinë. Teksa ka komentuar deklarimet e fundit të dy presidentëve, Nagavci ka thënë se asgjë më nuk është e papritshme në këtë drejtim.

 “Thaçi sikurse edhe herën e kaluar ka shkuar i pamandatuar nga Kuvendi, pra nuk ka mandat, legjitimitet për t’i vazhduar diskutimet në procesin e dialogut”, ka deklaruar ajo për "Zërin".  

Ndërkohë, duke iu referuar paralajmërimit të Vuçiqit për ndërprerje të dialogut nëse s’ka tërheqje të taksës së vënë nga Kosova, Nagavci ka uruar që taksa në fjalë të mos hiqet.  

“Urojmë që taksa e vendosur tashmë prej 10 për qind të jetë një vendim që do të zbatohet plotësisht, sepse ndonëse nuk është vendimi më i mirë, ne besojmë që duhet të ketë reciprocitet të plotë me Serbinë. Është një hap përpara dhe tashmë është radha e kryeministrit që të mos tërhiqet nga kjo”, ka shtuar deputetja e LVV-së.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar tashmë se nuk do të ketë tërheqje të taksës, përkundrazi ai ka paralajmëruar rritje të saj po që se Serbia nuk tërhiqet nga qasja që ka ndaj Kosovës. /ZERI