Mustafa kërkon të ndalet Qeveria pa legjitimitet që po e rrezikon ndarjen e Kosovës

Aktuale November 10, 2018 - 14:49
Lexo detajet

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook deklaron se Kosova ndodhet në një gjendje të rrezikshme. Ai ka numëruar disa procese të vështira në të cilat ndodhet vendi ynë si: dialogun, vizat, ministrat me aktakuza, mosfunksionimin e Kuvendit, ka bërë thirrje të dilet nga kjo situatë. Por, nuk ka përmendur shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Ne duhet të gjejmë forcë për të dalë nga kjo situatë shumë e rrezikshme për vendin. Një forcë e cila bazohet në mendje dhe veprime racionale; në logjikën shtetërore”, thotë Mustafa.

Thotë se Kosova ndodhet në gjendje të mjerueshme, në izolim ndërkombëtar, në shtet të korruptuar, në humbjen e besimit të rinisë për të ardhmen e tyre, pa marrë parasysh kush çfarë pozite mban aktualisht.

LEXO EDHE: VV paralajmëron protesta kundër Thaçit, s'tregojnë se kur do të ndodhin

Të gjitha këto i ka listuar si më poshtë:

“- Nga dialogu i pa bashkërenditur, pa platformë dhe pa legjitimitet demokratik dhe kushtetues;

- Insistimi ndërkombëtar dhe i institucioneve më të larta të vendit për dialog për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, thua se gjatë këtyre viteve nuk është dialoguar apo është dialoguar kot, pa e bërë të qartë se si do të dukej Kosova pas kësaj marrëveshjeje;

- Nga sfidat për liberalizim të vizave, të formimit të ushtrisë; të implementimit të MSA-së; të agjendës së reformave evropiane; të anëtarësimit në Interpol me një qeveri që nuk përfaqëson shumicën, por që ka 7 apo 8 ministra me aktakuza;

- Nga Parlamenti që nuk funksionon në detyrën e tij themelore por është shndërruar në teatër të shfaqjeve të nivelit të ulët etik e gjuhësor;

- Nga mungesa e besimit ndërmjet forcave politike në njëra tjetrën për tu ballafaquar bashkërisht kundrejt synimeve të Serbisë dhe aleatëve të saj për ta zhbërë pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, për ta ndarë Kosovën dhe ajo që mbetet t’i bashkëngjitet Shqipërisë;

- Nga pasojat e kauzave të rrejshme, popullizmit dhe protagonizmit, çmimin e të cilave po e paguajnë, jo akterët por, qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Isa Mustafa.