'Spektakli' i Thaçit dhe i Vuçiqit

Aktuale November 10, 2018 - 08:00
Lexo tjera detaje
Image

Përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se pala serbe kishte përdorur diskurs të ashpër në këtë takim, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërcënoi me mosvazhdim të dialogut nëse Kosova nuk e heq taksën doganore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithëkëtë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i negociatave mes dy shteteve nuk mund të ndërpritet në asnjë mënyrë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Menjëherë pas takimit të tretë të fazës finale të dialogut, i cili u zhvillua të enjten në Bruksel, dy kryenegociatorët, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, akuzuan njëri-tjetrin për arrogancë e papërgjegjshmëri.

Përderisa Thaçi tha se pala serbe kishte përdorur diskurs të ashpër në këtë takim, Vuçiq kërcënoi me mosvazhdim të dialogut nëse Kosova nuk e heq taksën doganore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithëkëtë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i negociatave mes dy shteteve nuk mund të ndërpritet në asnjë mënyrë.

Përkundrazi, siç shprehen ata, deklarimet e tilla të dy presidentëve ngjajnë më shumë në një “spektakël”, nga i cili qytetarët nuk duhet të bien në lajthitje. Ndërkaq përfaqësuesit e partive opozitare vlerësojnë se në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që në takimin e katërt të fazës finale presidenti Thaçi të shkojë e të dialogojë me Serbinë pa u mandatar nga Kuvendi.

Dialogu s’mund të ndërpritet

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, i ka cilësuar si lojë mes njëri-tjetrit deklaratat e fundit të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë. “Këto deklarata që i bëjnë dy presidentët më shumë i konsideroj njëfarëlloj spektakli medial sesa që vërtet duhet të merren seriozisht. Natyrisht të dyja palët tashmë kërkojnë, sidomos Serbia, që të përfitojë shumë më shumë nga procesi”, ka deklaruar ai. Pavarësisht deklarimit të Vuçiqit që dialogu nuk do të vazhdojë nëse nuk hiqet taksa prej 10 për qind, Mushkolaj ka vlerësuar se dialogu nuk do të ndalet. “Ne i pamë edhe deklarimet e Vuçiqit edhe sa i përket ushtrisë, sa i përket taksës prej 10 për qind për produktet serbe dhe për rrjetin energjetik. Natyrisht se Serbia është e shqetësuar që këto ndodhin për shkak se i ka interesat e veta në Kosovë, por kjo nuk do të thotë që absolutisht gjithçka ka përfunduar ose do të përfundojë, ose edhe se do të ndërpritet dialogu”, ka potencuar ai. Bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, dëshiron që këtë proces ta çojë deri në fund me çfarëdo kushti. Andaj, siç Mushkolaj është shprehur, opinioni publik nuk bën që të vihet në lajthitje dhe në bazë të deklaratave të presidentëve të gjykojë se gjithçka ka marrë fund. “Unë nuk besoj kështu, vetëm se natyrisht është një lojë se cila palë të përfitojë më shumë, kjo është e tëra”, ka nënvizuar ai.

Procesi, jotransparent

Pavarësisht kësaj, Mushkolaj ka thënë se procesi në fjalë është duke u zhvilluar krejtësisht pa transparencë. “Deri në momentin e fundit nuk dihej fare që do të kishte takim. Të gjithë ne prisnim që dy presidentët do të takoheshin në Paris, por ndodhi që u takuan më herët. Pra, mbizotëron një jotransparencë e plotë në këtë rast dhe kjo do të thotë se gjërat po përfundojnë prapa perdeve”, ka potencuar ai.  

Njëjtë ka vlerësuar edhe deputetja e LVV-së Arbërie Nagavci, e cila e ka cilësuar si jotransparent procesin e negociatave me Serbinë. Teksa ka komentuar deklarimet e fundit të dy presidentëve, Nagavci ka thënë se asgjë më nuk është e papritshme në këtë drejtim.  “Thaçi sikurse edhe herën e kaluar ka shkuar i pamandatuar nga Kuvendi, pra nuk ka mandat, legjitimitet për t’i vazhduar diskutimet në procesin e dialogut”, ka deklaruar ajo.  Ndërkohë, duke iu referuar paralajmërimit të Vuçiqit për ndërprerje të dialogut nëse s’ka tërheqje të taksës së vënë nga Kosova, Nagavci ka uruar që taksa në fjalë të mos hiqet.  “Urojmë që taksa e vendosur tashmë prej 10 për qind të jetë një vendim që do të zbatohet plotësisht, sepse ndonëse nuk është vendimi më i mirë, ne besojmë që duhet të ketë reciprocitet të plotë me Serbinë. Është një hap përpara dhe tashmë është radha e kryeministrit që të mos tërhiqet nga kjo”, ka shtuar deputetja e LVV-së.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar tashmë se nuk do të ketë tërheqje të taksës, përkundrazi ai ka paralajmëruar rritje të saj po që se Serbia nuk tërhiqet nga qasja që ka ndaj Kosovës.

LDK-ja kërkon vendosmëri nga AAK-ja e Nisma për ta ndalur Thaçin

Ndërkaq një ditë pas takimit të dy presidentëve në Bruksel shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka ripërsëritur se kreu i shtetit nuk është i legjitimuar të zhvillojë negociata me Serbinë. “Askush nuk ka mandat të dialogojë për territorin e Kosovës, ndërkaq Thaçi nuk ka mandat as të zhvillojë dialog me Serbinë. Ai duhet të ndalet nga Kuvendi ose nga qytetarët”, është shprehur ai. Sipas Hotit, skena politike duhet të jetë e unifikuar në veprime për ta ndalur Thaçin që të hyjë në pazare për Kosovën. Me këtë rast ai ka konsideruar se pikërisht dy partitë në pushtet, AAK-ja e Nisma, janë ato që duhet ta ndalin presidentin. “Opozita sot është e unifikuar në veprime. AAK-ja dhe Nisma duhet të tregojnë vendosmëri për ta ndalur Thaçin përmes Kuvendit, duke e mbështetur rezolutën e opozitës. Ndryshe qytetarët do ta ndalin atë përmes shprehjes së refuzimit masiv, por atëherë AAK-ja dhe Nisma do ta bartin përgjegjësinë para qytetareve njësoj sikurse PDK-ja”, ka theksuar Hoti. Por një deklaratë të tillë të Avdullah Hotit zyrtarët e Nismës Socialdemokrate e kanë cilësuar si retorikë të zbrazët. “Retorika dhe qëndrimi i LDK-së dhe LVV-së mund të përmblidhet si retorikë koti, pa gatishmëri e përgjegjësi institucionale. Unë i bëj ftesë LDK-së që të kthehet të marrë rolin institucional të cilin duhet ta ketë dhe të jetë pjesë e përbashkët e obligimeve shtetërore që i ka marrë Qeveria”, ka deklaruar për “Zërin” deputeti i Nismës, Enver Hoti.  

Sipas tij, faza finale e dialogut ende nuk ka filluar, pasi që, siç Hoti është shprehur, dialogu do të nisë tek pas miratimit të ekipit negociator të drejtuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. “Nuk është fillimi i dialogut, Kosova ende nuk e ka filluar dialogun. Qeveria duhet ta ndërtojë platformën dhe ne do të fokusohemi fuqishëm në dy pika: në përmbajtjen e platformës për bisedime dhe në themelimin e ekipit negocitor, të udhëhequr nga Limaj për bisedime”, ka theksuar ai, duke mos dashur të komentojë fare rreth takimit të fundit në Bruksel. 

Përkundrazi, deputeti i Nismës ka thënë se është duke u punuar që ekipi i propozuar nga Qeveria të kalojë në Kuvend sa më shpejt.

Takimi i tretë në Bruksel, pa mandat

Kurse kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, takimin e fundit të dy presidentëve e ka cilësuar si takim pa mandat. “Takimi i tretë në mes Thaçit dhe Vuçiqit është takimi i tretë pa mandat dhe pa platformë. Pra, edhe ky takim ishte pa legjitimitet ligjor e politik. Për më shumë, është takimi i tretë publik i Thaçit pa transparencë e raportim”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas Ahmetit, Kuvendi i Kosovës duhet që urgjentisht të arrijë marrëveshje për të ecur më tutje me këtë proces. “Kosova duhet ta draftojë platformën dhe ta mandatojë ekipin gjithëpërfshirës shtetëror në këtë proces tepër sfidues e të rëndësishëm për Kosovën. Në kohën kur Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive e Thaçi gjithnjë e më jolegjitim e jotransparent duhet urgjentisht ta vendosim procesin në binarë demokratikë e institucionalë”, ka potencuar ai, duke shtuar se takimi i ardhshëm nuk duhet të jetë i tillë.

Por pavarësisht reagimeve verbale të opozitës të drejtuara kreut të shtetit, sipas Imer Mushkolajt, presidenti do ta vazhdojë “aventurën” e tij. Andaj, sipas tij, opozita duhet patjetër t’i bashkohet dialogut, në mënyrë që të mundë ta kontrollojë Thaçin. “Opozita duhet ta ndërrojë strategjinë, nga përpjekja për ta ndaluar ta kontrollojë. Kontrollimi i tij bëhet duke u bërë pjesë e procesit, të mos i lihen duart e lira presidentit që ai të bëjë çfarë të dëshirojë”, ka nënvizuar Mushkolaj. /ZËRI