Osmani: Thaçi kryenegociator i vetëshpallur

Aktuale November 09, 2018 - 18:53
Lexo detajet!

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ika reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ka insistuar që të përmendet vetëm një marrëveshje që Serbia nuk e ka zbatuar karshi Kosovës, raporton “Zëri.info”.

Me këtë rast deputetja e LDK-së e ka quajtur Thaçin kryenegociator të vetëshpallur duke shpresuar kështu që ai i ka përmendur Vuçiqit disa nga marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar.

LEXO EDHE: Rusia: BE-ja ka dështuar në dialogun Kosovë-Serbi

Ky është reagimi i plotë i Osmanit në “Facebook”:

Vucic mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar. Shpresoj që pala kosovare (Presidenti ynë si kryenegociator i vetëshpallur) t’ja ketë përmendur bile disa nga shkeljet e mëposhtme të detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje:

1. Moszbatimi i Marrëveshjes së Parimeve të v.2013 (Plani i Zbatimit), ku kërkohet që të dyja palet të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar.

2. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e v.2013.

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e v.2013 që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve duke nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë; shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, etj.

4. Mosbatimi i marreveshjes per energji, duke mos lejuar asnjë përparim në zbatimin e pjesëve të kësaj marrëveshjeje dhe Marrëveshjes për KOSTT-ENTSO-E.

5. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nepermjet ndalesave qe Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi; mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj.

6. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”

7. Moszbatimi i marrëvëshjes për mbrojtjen civile, duke nxitur këta anëtarë të ‘integruar’ që mos t’i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës dhe mos t’ i raportojnë institucioneve të Kosovës.

8. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët.

9. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore, pengon ndërtimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar sipas marrëveshjeve etj.

10. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia.

11. Shkelja e marrëveshjes për diploma, ku poashtu nuk ka asnjë përparim.

12. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat në veri që mos të bashkëpunojnë, dhe duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme;

13. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit parlamentar ose të tjera;

Lista vazhdon...

Me tërë këto shkelje, e shumë të tjera, Vucic vazhdon të bëjë atë që bënë më së miri qysh nga koha e Milloshevicit, pra PROPAGANDËN, të cilën e ka udhëhequr përgjatë luftrave dhe gjenocidit të forcave serbe kundër popullatës civile në Kosovë, Bosnje e Kroaci. /ZËRI