Rrezikohet që të mos ketë vendimmarrje për vizat as këtë vit

Aktuale November 09, 2018 - 14:55
Lexo detajet!

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha janë shprehur optimistë se këtë vit mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Ndërsa njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se në bazë të rrethanave aktuale heqja e regjimit të vizave rrezikon të mos ndodhë as vitin e ardhshëm, shkruan "Zëri". 

Taulant Kryeziu, kryesues i bordit ekzekutiv në institutin EPIK, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht premtimeve dhe optimizmit të vazhdueshëm të liderëve kosovarë për heqje të vizave, rrezikojmë që as këtë vit të mos kemi vendimmarrje në Këshill të Ministrave.

“Ne kemi argumentuar vazhdimisht që skenari më pozitiv është që të ketë vendimmarrje deri në fund të vitit, mirëpo siç po shihet dinamika kjo gjë është vështirë, sepse ende nuk është ardhur deri te një marrëveshje që tregon dakordancë mes Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë Kryeziu.
Sipas tij, nuk ka sinjale pozitive për liberalizim të vizave.

“Ne ende nuk kemi parë lëvizje që ka një dakordancë në mes të dyja trupave legjislative. Sigurisht që kur vjen në agjendë të Këshillit të BE-së, çështja e vizave vjen kur ka unitet për t’u votuar, kjo nuk ka diskutim, mirëpo tendenca po shihet që ka një numër të vendeve që janë skeptike dhe derisa ekziston ky skepticizëm nuk ka mundësi që dosja jonë të kalojë në nivel të Këshillit sepse janë ato 6 hapa të cilët duhet të konsumohen dhe pa ndodhur kjo është e pamundur që të merret vendimmarrja në nivel të Këshillit”, ka theksuar ai.

Ndërkohë ai ka vlerësuar se përderisa zyrtarët dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë kanë thënë që lëvizja e lirë do të ndodhë këtë vit, ata tani kanë ndryshuar diskursin publik.

“Tani edhe vendimmarrja brenda këtij viti është duke u rrezikuar. Viti i ardhshëm sjell disa të panjohura, pra ndërron skenari. Është ndryshimi i Presidencës së Parlamentit Evropian, si dhe janë zgjedhjet e PE-së në maj të vitit të ardhshëm, pra janë këto të panjohura që nuk e dimë se sa mund ta zvarrisin këtë proces. Askush nuk e di se kur ndodh një vendimmarrje politike e vendeve anëtare, prandaj nuk duhet të operojmë me data”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa Besnik Vasolli, njohës i integrimeve, për “Zërin” ka thënë që edhe nëse do të kishte vendim pozitiv këtë vit për liberalizimin e vizave do të nevojitet kohë që ky vendim të hyjë në fuqi. 

“Fakti që sivjet nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave tashmë është i qartë qe një kohë. Edhe nëse do të votohej pozitivisht në takimin e dhjetorit të Këshillit, atëherë vendimi nuk do të mundë të hynte në fuqi në kohë që do të mundësonte udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti. Por siç duket diskursi publik në BE rreth çështjeve të migracionit e ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare të BE-së edhe për liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë që rezultati i zgjedhjeve të reja në Parlamentin Evropian paraqet sfidë për liberalizimin e vizave.