Koordinimi i opozitës, në pikën zero

Aktuale November 09, 2018 - 08:05
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Tri partitë opozitare, LDK-ja, LVV-ja e PSD-ja, janë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Megjithatë, pas dështimit në Kuvend për miratimin e rezolutës kundër kësaj ideje opozitarët opsion tjetër e shohin organizmin e protestave, megjithëse thonë se koordinimi në mes tyre është në pikën zero, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, po vazhdojnë ta kundërshtojnë idenë e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë.

LEXO EDHE: Haradinaj e Hoxha, optimistë për liberalizimin e vizave

Por ato nuk po arrijnë të dalin me një strategji të përbashkët për kundërshtimin e kësaj ideje. Përkundrazi, partitë opozitare aktualisht ndodhen në pikën zero edhe sa i përket organizimit të protestave kundër kreut të shtetit.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për organizmin e protestës së ardhshme.

Megjithëkëtë, ata kanë njoftuar se do t’i ftojnë edhe dy partitë e tjera opozitare në momentin që do të ketë një organizim të tillë.

Ndërkaq, ndonëse nuk kanë treguar nëse do t’i përgjigjeshin ftesës së LVV-së mbi këtë çështje, nga LDK-ja kanë bërë të ditur se nuk i përjashtojnë protestat për ta ndalur rrugëtimin e gabuar të presidentit.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji opozita kishte tentuar që ta miratonte një rezolutë me anë të së cilës do t’ia ndalonte Thaçit të diskutonte rreth kufijve, porse ajo nuk ishte votuar në Kuvend.

LVV: Asnjë lëvizje drejt protestës së ardhshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditur se kjo parti ende nuk ka filluar kurrfarë përgatitje për protestën e radhës.

“Në lidhje me protestën ende jemi në pikën zero, për protestën e ardhshme nuk ka asnjë lëvizje në atë drejtim”, ka potencuar ai. 

Kurteshi me këtë rast ka thënë se në momentin që do të bëhen përgatitjet për protestë LVV-ja do t’i ftojë edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-në e PSD-në.

 “Jo vetëm dy partive opozitare, por do t’u bëjmë ftesë gjithë qytetarëve, gjithë Kosovës, krejt ata që janë kundër ndryshimit të kufijve. Kjo do të ndodhë kur ta organizojmë protestën, por njëherë nuk kemi ardhur te ajo shkallë”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, deputeti i LVV-së ka thënë se ky subjekt nuk ka biseduar me dy partitë e tjera opozitare sa u përket protestave.  Ndërkohë të pyetur nëse do t’u bashkoheshin protestave të tilla, nga PSD-ja kanë thënë shkurt se tashmë janë deklaruar rreth këtyre çështjeve.

LDK-ja nuk përjashton protestat kundër Thaçit

Pavarësisht se në seancën kur u diskutua rreth rezolutës për dialogun partitë politike nuk treguan vullnet për ta votuar atë, deputeti i LDK-së Naser Rugova është shprehur optimist se së shpejti do të ketë një koordinim rreth kësaj çështjeje.

“Në ditët në vijim pres të koordinohemi me gjithë të tjerët, në mënyrë që ta votojmë këtë rezolutë, sepse ne nuk kemi tanimë problem si spektër opozitar në mes vete. Ne jemi dakord me këto pika, por dua të besoj që një çështje e tillë na përket të gjithëve. Prandaj presim që ta gjejmë një konsensus për një rezolutë të përbashkët”, ka deklaruar ai për “Zërin”. 

Por në rast se nuk funksionon ky opsion, Rugova ka thënë se LDK-ja do t’i përdorë të gjitha mjetet ligjore për ta ndalur Thaçin dhe idenë e tij për korrigjim të kufijve.

I pyetur nëse LDK-ja përjashton protestat në këtë drejtim, Rugova ka thënë se po qe se është nevoja edhe ato do të praktikohen.

“Nuk i përjashtojmë protestat, as çdo mjet ligjor që e mbron sovranitetin e integritetin e vendit. Por ne duam të besojmë fuqishëm që tani e kemi të qartë që as partnerët e koalicionit, por as ne nuk e kemi shumicën e nevojshme për këtë çështje. Prandaj është i nevojshëm konsensusi”, ka nënvizuar ai, teksa ka thënë se askush nuk ka të drejtë të negociojë me Serbinë pa pasur mandat nga Kuvendi.

Megjithëkëtë, Rugova nuk ka treguar nëse LDK-ja do t’i bashkohej protestave eventuale, të cilat mund të thirren nga dy partitë e tjera opozitare, LVV-ja e PSD-ja.

“Tani është çështje e vendimeve politike, unë nuk mund të flas në emër të kryetarit dhe të Kryesisë së LDK-së. Sigurisht që do të ketë koordinim dhe do të ketë një vendim konkret lidhur me këto çështje”, është shprehur ai.

Pak gjasa për një opozitë të bashkuar

Në anën tjetër Rasim Alija, nga instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka thënë se opozita ka tentuar disa herë që të dalë me një platformë të përbashkët sa i përket dialogut, por nuk ka pasur asnjë rezultat deri më tani.  

“Pavarësisht këtyre përpjekjeve nga opozita, si produkt final nuk kemi parë asgjë. Edhe pafuqia në numra e edhe qëndrimet e ndryshme brenda subjekteve politike opozitare e bëjnë të vështirë një platformë të përbashkët e aq më shumë veprimet e përbashkëta opozitare”, ka deklaruar ai.  

Rrjedhimisht sipas Alijës, gjasat që të ketë një protestë të përbashkët të opozitës janë tejet të vogla.

“Se a bashkëngjiten në këto protesta partitë e tjera opozitare një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë duke parë qëndrimet e mëhershme të subjekteve politike opozitare”, ka theksuar ai.

Sido që të jetë para protestës, siç ai është shprehur,  energjia duhet të fokusohet te veprimet në Kuvend.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth këtyre zhvillimeve, profesori universitar Belul Beqaj ka vlerësuar se deklarativisht të gjitha partitë janë kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve.

Por në realitet, sipas tij, të gjitha subjektet janë duke kalkuluar se çfarë rezultate u sjellin këto deklarime po qe se eventualisht shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Andaj, sipas tij, falë unitetit të rrejshëm të opozitës dhe të pozitës presidenti Hashim Thaçi do t’ia dalë “të mbijetojë” pavarësisht këtyre kundërshtimeve.

Megjithëkëtë Beqaj ka konsideruar se mosarritja e një uniteti mbi këtë çështje ka edhe anën pozitive, e cila ka të bëjë me mobilizimin e qytetarëve, rrjedhimisht organizimin e protestave.

“Ana pozitive e mosunitetit reflektohet me akumulimin e pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese që përafron pikën e vlimit, kur zgjidhja do të kalojë në rrugë. Për këtë nevojitet vetëm një shkëndijë, e cila mund të vijë nga Kosova, por edhe jashtë saj”, ka potencuar Beqaj.