Pacolli i përgjigjet Daciqit: Ju jeni të turpëruar, nuk mund t’i numëroni kriminelët

Aktuale November 08, 2018 - 15:07
Lexo tjera detaje

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli i është kundërpërgjigjur një deklarate të homologut të tij serb, Ivica Daciq, rreth Interpolit. Pacolli thotë se Serbia mund të lëshojë fletarreste ndaj kosovarëve, mirëpo sipas tij, njerëzit e Kosovës nuk janë ata që duhet të turpërohen.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se ‘Njerëzit e Kosovës vetëm janë mbrojtur nga gjenocidi dhe nuk turpërohemi asnjëherë për veprimet tona”.

Shkrimi i plotë:

E lexova një deklaratë të Dacicit, se gjoja Interpoli do të mbushet me fletarreste për udheheqësit e Kosovës.

Po, mund të ndodhe që Serbia të vazhdoj të keqpërdor edhe institucione ndërkombëtare, ashtu siq ka vepruar deri tani. Nuk është çudi, duke e ditur se kush është Daçiçi.

Njerëzit e Kosovës vetëm janë mbrojtur nga gjenocidi dhe nuk turpërohemi asnjëherë për veprimet tona.

Të turpëruar para civilizimit botëror janë ata që kanë kryer gjenocid.

E mira është që askush nuk do të këtë mundësi më të kryej gjenocid mbi popullin e Kosovës.

Asnjë qytetar i Kosovës nuk është i dënuar për vrasje. Asnjë qytetar i Kosovës nuk është i dënuar për masakra. Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka bërë krime lufte, ngase lufta jonë ka qenë për mbijetesë.

Ndërsa bashkëideologet e Dacicit, nuk arrin ti numërojë kriminelët e luftës që kryen krimet e tmerrshme ne Kosovë e rajon!