Aktuale

Skenarët e mundshëm për vizat

Skenarët e mundshëm për vizat
08 nëntor 2018 • 08 : 03 Foto: Driton Bublaku

Lexo tjera detaje

Image

Deklarata e fundit e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, i cili u shpreh skeptik në heqjen e vizave për Kosovën, tregon qartë që Presidenca e Bashkimit Evropian nuk ka vullnet që ta vendosë në agjendën e saj çështjen e liberalizimit këtë vit. Kështu kanë theksuar për “Zërin” ekspertët e integrimit evropian, të cilët thonë se procesi i vizave rrezikon të shtyhet për vitin e ardhshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Andaj sipas tyre, ekzistojnë disa skenarë, të cilët mund të ndodhin me këtë proces. Po qe se Këshilli i Ministrave nuk merr vendim pozitiv për heqje të vizave në dhjetor të këtij viti, njohësit e procesit të integrimit vlerësojnë se opsioni tjetër për t’u diskutuar për viza është maji i vitit të ardhshëm. Porse një opsion i tillë, siç shprehen ata, nuk është aspak i favorshëm pasi pikërisht atëherë do të mbahen zgjedhjet për Parlament Evropian (PE). Ndërkaq, po qe se liberalizimi nuk ndodh as në maj të vitit tjetër, skenari i radhës është që për vizat të diskutohet tek në dhjetor të vitit 2019, që sipas njohësve të integrimit mbetet një skenar dukshëm më pak i favorshëm për Kosovën.    

Gjasat, minimale që vizat të hiqen këtë vit

Njohësi i procesit të integrimit, Besnik Vasolli, ka thënë për “Zërin” se tashmë është më se e qartë që nuk do të ketë liberalizim të vizave gjatë këtij viti. Sipas tij, edhe nëse do të votohej pozitivisht në takimin e dhjetorit të Këshillit të Ministrave, vendimi nuk do të mundë të hynte në fuqi dhe ta mundësonte udhëtimin pa viza brenda këtij viti.

Sipas Vasollit, diskursi publik në BE rreth çështjes së migracionit e ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare të BE-së edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Vërehet një dozë e rezervuar e pasigurisë te shtetet anëtare se si do të perceptohej një vendim i tillë nga qytetarët, respektivisht nga votuesit evropianë, si dhe çka mund të ndodhë nëse merret një vendim i tillë, a do të migronin shtetasit kosovarë, a do të kishte migrim jo të rregullt, a do të kërkonin kosovarët azil, a do të qëndronin ilegalisht etj”, është shprehur ai.

Ndërkaq Rreze Hoxha, njohëse e procesit të integrimit nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka konsideruar se deklarata e fundit e kancelarit austriak Sebastian Kurz, i cili u shpreh skeptik për heqjen e vizave, tregon qartë që Presidenca e BE-së nuk ka vullnet që ta vendosë në agjendën e saj çështjen e liberalizimit të vizave këtë vit. “Kjo ngase është më se e qartë që nuk ka vullnet për një vendim pozitiv lidhur me këtë çështje dhe ekziston rezistenca e Presidencës së tanishme që një vendim i tillë të merret gjatë këtij mandati. Kjo ngase në mandatin tjetër do ta udhëheqë Rumania dhe ajo ka shumë pak vullnet për të vendosur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e tyre”, ka theksuar ajo.

Sa i përket kësaj çështjeje, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka vlerësuar se Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike. “Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak të mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit, i cili i ka kushtuar qytetarëve të Kosovës tri vjet bllokadë dhe izolim. Tani ne si Instituti EPIK presim që procesi i vizave të shtyhet për vitin 2019 me shumë të panjohura dhe Kosovës t’i kërkohet progres konkret në fushën e sundimit të ligjit”, ka potencuar Shasha.  

Drejt ngecjes së procesit

Ndërkaq Besnik Vasolli tutje ka konsideruar se ekzistojnë disa skenarë që mund të ndodhin sa i përket liberalizimit të vizave përgjatë këtij viti dhe më tej. “Skenarët janë që në dhjetor të debatohet në Këshill dhe nëse ka vullnet të mjaftueshëm nga shtetet e BE-së të aprovohet. Por kjo dita-ditës po bëhet më pak e mundshme. Teknikisht opsioni tjetër është që në mars të votohet dhe të hyjë në fuqi deri kah maji 2019”, ka deklaruar ai.

Porse, sipas tij, një opsion i tillë është mjaft sfidues pasi atë kohë janë zgjedhjet për Parlament Evropian. Ndërkaq mundësia tjetër, siç ka bërë të ditur ai, është në fund të vitit tjetër. “Opsioni tjetër pas majit është dhjetori 2019 ose edhe më vonë. Ky do të ishte opsioni më pak i preferuar”, ka potencuar Vasolli.

Ndërkaq Demush Shasha, ka vlerësuar se skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundojë këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019. Por nisur nga zhvillimet aktuale, sipas tij, mund të konkludohet lirshëm që ky skenar pozitiv është duke u vendosur në dyshim.

E nëse vendimi nuk merret këtë vit sipas Rreze Hoxhës, njohëse e procesit të integrimit nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), procesi i liberalizimit ngec në atë pikë që është tani. “Nëse një vendim i tillë nuk merret, qoftë ai pozitiv ose negativ, Kosova do të mbetej në pikën e njëjtë në të cilën është tani, pra ajo do të ishte jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave dhe procesi do të stagnonte në këtë pikë deri në momentin kur ajo do të arrinte të bëhej pjesë e kësaj agjende”, ka theksuar Hoxha.

Hapat që duhet t’i ndërmarrin institucionet nëse s’ka viza këtë vit

E në rast se nuk ka vendim pozitiv për vizat këtë vit, sipas Vasollit, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë të gjitha kriteret nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave. “Të dëshmojmë që qëllimi ynë ka qenë ta përmirësojmë gjendjen në vendin tonë dhe të dëshmojmë që këto kritere nuk i kemi përmbushur vetëm sa për hatër të BE-së dhe vetëm sa ta marrim liberalizimin e vizave, të vazhdojmë me informata vetëdijesuese, t’i njoftojmë qytetarët e Kosovës që liberalizimi i vizave nuk u mundëson punësim”, ka theksuar ai.

Ndërkaq sipas Rreze Hoxhës, institucionet e Kosovës do të duhej të fokusoheshin në lobim nëpër shtetet anëtare të BE-së dhe në shtetet me fuqi vendimmarrëse në këtë proces. “Njëkohësisht, do të duhej të ndërmerrej një fushatë sensibilizuese për të informuar qytetarët me kuptimin e liberalizimit të vizave, përfitimet nga ky proces dhe penalizimet e mundshme. Për më tepër, do të duhej të fillonte një fushatë e cila do t’ua dëshmonte shteteve anëtare të BE-së se Kosova nuk do të eksportojë emigrantë ilegalë dhe ajo nuk do të paraqesë rrezik në çështjet e migracionit e problemeve tjera me të cilat përballet BE-ja tani”, ka potencuar Hoxha./ZËRI

© zëri.info