Kroacia, kundër korrigjimit të kufirit

Aktuale November 08, 2018 - 07:51
Lexo tjera detaje
Image

Ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviq, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se shteti i saj nuk e përkrah idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që, siç thotë ajo, kjo nuk do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm, por përkundrazi mund të shkaktonte çështje shtesë në vend të zgjidhjeve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kroacia nuk e mbështet idenë për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që nuk beson se një korrigjim i tillë do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ambasadorja kroate në Kosovë Marija Kapitanoviq, duke shtuar se përkundrazi një iniciativë e tillë mund të shkaktojë çështje shtesë në vend të zgjidhjeve. “Sa i përket korrigjimit të kufijve nga pikëpamja e dikujt që vjen nga një vend i cili përjetoi një të kaluar të vështirë, ne nuk mendojmë që kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka potencuar ambasadorja Kapitanoviq.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ambasadorja e shtetit më të ri të Bashkimit Evropian (BE) ka folur edhe për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Schengen.

Diplomatja kroate në Kosovë thotë se procesi ka kaluar te konsultimet mes shteteve anëtare, duke mos qenë në gjendje të thotë nëse kosovarët në një të ardhme të afërt do të lëvizin pa viza në BE.
Ajo ka shprehur shqetësimin se shumë investitorë kroatë janë të dekurajuar nga mungesa e transparencës në tenderët publikë në procedurat e prokurimit. “Ndonjëherë edhe pse kompanitë i përmbushin kriteret ndodh që ato përjashtohen nga gara pa shpjegime të qarta”, ka bërë të ditur ambasadorja kroate.

Zëri: Znj. ambasadore, keni nisur një projekt për mësimin e gjuhës kroate në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. A mund të na jepni më shumë detaje rreth këtij projekti?

Kapitanoviq: Po, kemi filluar me kënaqësi. Ishte leksioni i parë i të mësuarit kroatisht si një gjuhë e huaj e dytë në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Ky ishte një projekt i planifikuar për një kohë mjaft të gjatë, pothuajse prej kur kam ardhur këtu dhe kur mora detyrën. Ky është një projekt i përbashkët mes UP-së dhe Universitetit të Zagrebit. Në vitin e parë do të jetë një profesoreshë e gjuhës kroate nga Universiteti i Zagrebit. Ajo do të ligjërojë lëndën e gjuhës kroate dhe të gjithë ata studentë që studiojnë në departamente të ndryshme në Fakultetin e Filologjisë mund të zgjedhin kroatishten si gjuhën e dytë në mesin e gjuhëve botërore.

Unë mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona, një hap përpara, sepse them zakonisht se gjenerata e vjetër - gjeneratat e mesme dinë shumë mirë kroatisht, ata janë shumë emocionalë për Kroacinë, sepse shumë prej tyre kanë studiuar në Zagreb. Kur takoj njerëzit në rrugë ata zakonisht më thonë se kanë studiuar inxhinierinë, mjekësinë, arkitekturën dhe kështu me radhë. Vetëm t’jua rikujtoj, për shembull Biblioteka Universitare në Prishtinë është projektuar nga arkitekti nga Zagrebi Andrija Mutnjakoviq, kështu që kjo tregon për marrëdhëniet tona kulturore.

Kur bëhet fjalë për gjeneratat e reja, për shkak të rrethanave shumë konkrete dhe objektive disi ata nuk kishin mundësi të ishin aq shumë në kontakt me kulturën dhe me shoqërinë kroate dhe kjo është arsyeja pse e vlerësoj këtë projekt si një gjë shumë të mirë, sepse do të hapë mundësitë për rininë, për studentët të njohin më mirë Kroacinë, për të njohur kulturën tonë, për të lexuar librat dhe për të parë filmat në gjuhën kroate dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pastaj faktori i dytë i rëndësishëm është se posa të mbarojnë studimet këtu, ndoshta, pse jo, të vendosin për të bërë ndonjë lloj specializimi në Kroaci.

Zëri: Sa jeni të kënaqur përgjithësisht me pozitën e komunitetit kroat në Kosovë?

Kapitanoviq: Komuniteti kroat është i vogël dhe çfarë është e rëndësishme, ne jemi të lidhur nga një komponent historik i të dyja komuniteteve tona. Ju keni një komunitet historik kroat këtu dhe pastaj ka një komunitet të dukshëm shqiptar kosovar në Kroaci. Komuniteti kroat jeton në dy fshatra në Kosovë, në Janjevë dhe në Letnicë, janë pak më shumë se 200 banorë dhe ata qëndrojnë fuqishëm (si urë lidhëse) mes dy vendeve tona. Ky është një reflektim i shoqërisë në rritje, ne jemi shumë krenarë që kemi një deputete shqiptare në parlamentin e Kroacisë, Emine Lekaj Përlaskaj, si dhe jemi shumë krenarë që mund të mbështesim aktivitetet e komunitetit shqiptar të Kosovës në Kroaci. Për shembull, unë jam nga Istria dhe atje ka një komunitet kosovar, ata janë shumë vitalë dhe pjesë aktive e shoqërisë, punojnë kryesisht në sektorin e turizmit, kurse komuniteti kroat këtu jeton në kushte tepër të palakmueshme dhe shpesh ata ballafaqohen me probleme shumë thelbësore.

Investitorët kroatë, të dekurajuar nga mungesa e transparencës në tenderët publikë

Zëri: Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Kroacisë është i një niveli shumë të ulët, ku importet vjetore nga Kroacia nuk arrijnë as 60 milionë euro, përderisa eksportet janë simbolike, mbi 2 milionë euro. Si të thellohet një bashkëpunim i tillë ekonomik?


Kapitanoviq: Jemi gati për thellimin e bashkëpunimit tonë në këtë sektor dhe gjithashtu në fusha të tjera me interes të përbashkët. Ekziston një numër i marrëveshjeve bilaterale edhe në fushën ekonomike, por zbatimi duhet të jetë i drejtë. Ekziston edhe hapësira për thellimin e ekonomisë sonë në veçanti, duke marrë parasysh marrëdhëniet tona miqësore dhe historike. Kroacia gjithmonë e ka përkrahur Kosovën në periudha të ndryshme kohore. Për fat të keq shumë investitorë janë të dekurajuar nga mungesa e transparencës në tenderët publikë, në procedurat e prokurimit, pengesat janë në faza të ndryshme të ciklit të biznesit, ndonjëherë edhe pse kompanitë i përmbushin kriteret, shpesh ndodh që ato përjashtohen nga gara pa shpjegime të qarta.

Zëri: A keni ndonjë rast konkret?

Kapitanoviq: Kemi disa raste të ndërmarrjeve zakonisht të vogla dhe të mesme. Pastaj kemi shembuj kur nënshkruhet një kontratë dhe e njëjta nuk respektohet plotësisht. Në të vërtetë shumë investitorë janë dekurajuar pikërisht për shkak të kësaj miqësie dhe të marrëdhënieve tradicionale, kjo përbën një kapital që është humbur dhe se duhet të punohet më shumë në këtë aspekt, si dhe ka nevojë për t’i rritur përpjekjet, për ta përmirësuar konkurrencën dhe transparencën.

Zëri: A ka interesim të kompanive kroate për të investuar në Kosovë, në cilën fushë është interesimi më i madh?

Kapitanoviq: Ka interes në infrastrukturë, në infrastrukturën hekurudhore, në rindërtimin e hekurudhave. Keni pasur infrastrukturën hekurudhore, por të njëjtën keni nevojë ta rindërtoni. E di se ka shumë punë që duhet bërë në sferën e menaxhimit të mbeturinave, pastaj ne me siguri mund të punojmë më shumë për shkëmbimin tregtar ose për burimet alternative të energjisë diellore dhe të erës. Kemi shembuj të disa kompanive që punojnë në sektorin solar, por siç thashë nevojitet përmirësim në transparencë dhe në prokurim publik, ndoshta edhe për procedura administrative më të shpejta dhe më të thjeshta.

Zëri: A qëndron problemi te korrupsioni?
 

Kapitanoviq: Zakonisht ka lidhje (korrupsioni) dhe të kthehemi te procedura e prokurimit, ndoshta një “Stop-shop” mund të ndihmojë reformën e prokurimit publik. Sigurisht që tani për çfarë keni nevojë është një hap i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin, duke nxitur reformën e mirë të prokurimit publik, pasi kjo ka pasoja shumë të mëdha në sferat siç janë investimet, pastaj ofrimi i shërbimeve lokale, shërbimit të kujdesit shëndetësor, arsimor, të gjitha janë të ndërlidhura.

Zëri: Znj. ambasadore, qytetarët e Kosovës kanë shpresuar se këtë vit do të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian, ku Kroacia është shtet anëtar. Cilat janë gjasat që vendimi për lëvizja pa viza në zonën Schengen të merret këtë vit?

Kapitanoviq: Unë e di se sa e rëndësishme është që qytetarët e Kosovës ta fitojnë udhëtimin pa viza për qëllime turistike. Duhet të jetë e qartë se kjo ka të bëjë për qëllime turistike, informimi me kohë dhe i duhur është gjithashtu i rëndësishëm në këtë aspekt. Kosova ka bërë përpjekjet në përmbushjen e kritereve të nevojshme, sidomos ato të fundit që ne i njohim shumë mirë. Tani procedura e kësaj çështjeje duhet të përfundojë brenda Këshillit dhe në ndërkohë është e rëndësishme performanca, veçanërisht në fushën e sundimin të ligjit. Por sa i përket procedurës së shteteve anëtare të BE-së, konsultimet për këtë çështje po vazhdojnë.

Vendimi për vizat shpresojmë të merret sa më shpejt

Zëri: A ka ndonjë mundësi për të udhëtuar pa viza vitin e ardhshëm?

Kapitanoviq: Me të vërtetë nuk mund të parashikoj, tani procesi ka kaluar në konsultimet e shteteve anëtare. Nga ana jonë, çfarë mund të them është se shpresojmë që vendimi të merret sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo është edhe një procedurë teknike. Parlamenti Evropian ofroi mbështetje, Komisioni Evropian dha një mendim pozitiv, pastaj PE-ja e mbështeti atë me shumicë votash.

Zëri: Por problemi qëndron në Këshill, më shumë se 10 shtete janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Pse ka hezitim kur dihet se Kosova i plotësoi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, demarkacionin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit?

Kapitanoviq: Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave është pjesë e përmbushjes së kritereve për reformat e tjera të BE-së, prandaj ajo që është e rëndësishme është që të ketë vazhdimësi për t'i mbajtur këto kritere në nivel të mirë dhe siç thashë më parë, kemi të bëjmë me çështje procedurale dhe se tanimë janë duke vazhduar konsultimet.

Zëri: A ndërlidhet një hezitim i tillë i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën me zgjedhjet për Parlament Evropian, që do të mbahen në gjysmën e parë të vitit tjetër?
 

Kapitanoviq: Siç thashë më parë, Parlamenti Evropian mbështeti liberalizimin e vizave për Kosovën. Në të vërtetë ata votuan në favor të inicimit të negociatave me organet e tjera të BE-së dhe tani vendimi i takon shteteve anëtare, kështu që Parlamenti Evropian votoi në favor.

Zëri: A besoni se Komisioni do të votojë në fillim të dhjetorit?

Kapitanoviq: Siç thashë, është një proces dhe në këtë moment me të vërtetë nuk mund të parashikoj.

Zëri: Si e komentoni deklaratën e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhajt, i cili ka deklaruar për “Zërin” se nëse sivjet nuk merret vendimi për viza, atëherë Kosova duhet ta rishqyrtojë pozicionin e vet ndaj BE-së?

Kapitanoviq: Procesi i integrimit në BE është një proces i qëndrueshëm dhe i gjatë. Po ju tregoj nga pozicioni i vendit, i cili ka kaluar kohët e fundit nëpër këtë proces, sepse ne jemi shteti më i ri anëtar i BE-së dhe procesi i integrimit në BE ka të bëjë me përmbushjen e kritereve. Procesi i liberalizimit të vizave është gjithashtu pjesë e përmbushjes së kritereve dhe reformave të BE-së. Kriteret që duhet të përmbushen nganjëherë janë më të lehta, pak të vështira dhe ndonjëherë shumë të vështira. Kështu ishte edhe në lidhje me vendin tonë, për shembull, do të përmend një nga kriteret shumë të vështira në rastin tonë, në fazën e mëvonshme ishte për shembull rindërtimi i industrisë së anijeve dhe i industrisë së çelikut, e cila ishte shtylla kryesore e ekonomisë kroate për dekada. Kjo gjë çoi në situata në të cilat shumë njerëz duhej të kërkonin një punë të re, kjo ishte për shembull një kriter shumë i vështirë, prandaj është e rëndësishme të dihet se vendet e ndryshme të BE-së kanë pasur ose kanë kaluar në procese të ngjashme.

Siç thashë, procesi i integrimit në BE është një rrugë e gjatë, përshtatja ndaj standardeve të BE-së është për hir të jetës më të mirë të njerëzve dhe nuk vjen gjatë natës. Është në të vërtetë një investim në të ardhmen. Që të ketë sukses në këto gjëra në përmbushjen e kritereve dhe të reformave gjithashtu është shumë e rëndësishme për t’i theksuar reformat, ajo duhet të bëhet për hir të përmirësimit të vendit dhe për një jetë më të mirë të qytetarëve. Për aq sa di unë, shumica e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të afrohen me BE-në, së paku sondazhet tregojnë kështu. Kur flas me njerëzit e zakonshëm mund ta kuptoj vërtet mençurinë për një jetë më të mirë, e cila mund të arrihet edhe me zbatimin e MSA-së dhe të agjendës së reformave evropiane. Duhet theksuar se keni gjëra të tilla si: përshtatjet me standardet veterinare, sanitare, të sigurisë ushqimore. Përse e përmend këtë, sepse duke iu përshtatur standardeve prodhuesit tuaj do të jenë në gjendje të eksportojnë në shtetet anëtare të BE-së. Vlen të përmendet sektori i drejtësisë, ku një nga gjërat e para është zvogëlimi i grumbullimit të rasteve, të përshpejtohen procedurat gjyqësore dhe gjithashtu të ketë lehtësime në sektorin e biznesit. Ose siç kemi përmendur më parë reformën e prokurimeve publike, në mënyrë që të konkludojmë nëse qytetarët e Kosovës e mirëpresin lëvizjen në këtë drejtim dhe kjo i mbetet institucioneve për t’i përmbushur këto pritshmëri.

Zëri: Politikanët në Kosovë kanë deklaruar se i kemi plotësuar të gjitha kriteret për vizat. Gjithashtu Komisioni arriti në këtë përfundim, si dhe Parlamenti, prandaj pse ne nuk kemi të drejtë të udhëtojmë lirshëm në BE?

Kapitanoviq: Siç thashë, procedurat po vazhdojnë dhe marrin kohë, sepse ka shumë procedura të çështjeve teknike dhe siç theksova në ndërkohë, është e rëndësishme për të vazhduar performancën.

Zëri: Kryeministri dhe ministrja e Integrimit Evropian thanë se këtë vit do të udhëtojmë në BE, vetëm pas një ose dy muajsh të këtij viti?

Kapitanoviq: Edhe një herë po e përmendi se procedurat janë në vazhdim e sipër dhe le të shpresojmë për hir të qytetarëve të Kosovës.

Zëri: Cili është qëndrimi i Kroacisë ndaj iniciativës së presidentëve, Thaçi dhe Vuçiq, për korrigjimin e kufijve. A do të duhej vendet të vazhdojnë me një iniciativë të tillë, e cila kundërshtohet fuqishëm në Kosovë, por nuk e ka as përkrahjen e shtetit më të fuqishëm në BE, të Gjermanisë?

Kapitanoviq: Qëndrimi i qeverisë dhe i presidentes kroate është i shprehur dhe është i njohur mjaft mirë. Ne mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndihmuar nga BE-ja dhe ne shpresojmë në procesin e shpejtë të këtij dialogu. Ne nuk e shohim idenë për korrigjimin e kufijve si zgjidhja më e mirë e mundshme dhe në këtë kuptim sa i përket demarkacionit ose korrigjimit të kufijve, nga pikëpamja e dikujt që vjen nga një vend i cili përjetoi një të kaluar të vështirë, ne nuk mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme. Në këtë kuptim ne jemi të kujdesshëm. Për më shumë kur bëhet fjalë për këtë çështje, diversiteti duhet parë si një forcë shtytëse e vendit.

 

Korrigjimi kufitar s’do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm

 Zëri: Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se ndryshimi i kufirit mund të bëhet vetëm me luftë. A ka rrezik që korrigjimi i kufirit Kosovë - Serbi ta hapë “Kutinë e Pandorës” në Ballkan?

Kapitanoviq: Marrëveshja gjithëpërfshirëse sigurisht që sipas pikëpamjes sonë duhet të forcojë stabilitetin rajonal dhe t’i normalizojë marrëdhëniet në dobi të qytetarëve. Ne nuk besojmë se ndonjë korrigjim kufitar do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm. Përkundrazi, mund të shkaktojë çështje shtesë në vend të zgjidhjeve, sepse natyrisht ne po kërkojmë tani për zgjidhjet dhe më në fund duhet të kujdesemi për të gjithë qytetarët./ZËRI