I tha se kishe kundërshtuar sanksionet ndaj Serbisë, Pacolli i reagon Hasanit

Aktuale November 07, 2018 - 21:36
Lexo Detajet

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka deklaruar sonte se edhe më parë kishte propozuar që të taksohen produktet serbe, por sipas tij ka pasur kundërshtarë brenda kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas Hasanit, ata që kundërshtuan këtë propozim ishin pikërisht zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli si dhe zv/kryeministri Enver Hoxhaj, duke u arsyetuar se do të ketë reagime.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar zv/kryeministri Pacolli, i cili ka deklaruar se kjo gjë është gënjeshtër.

“Asnjëherë, kush ju ka thënë këtë ju ka gënjyer. Nuk është debatuar asnjëherë në prezencën time” ,ka thënë Pacolli.

Mediumi ka provuar të marrë edhe qëndrimin e Hoxhajt lidhur me këtë deklaratë të ish-ministrit Haasani, por ky i fundit nuk është përgjigjur.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u mor vendim që  t’u vihen taksa prej 10 përqind produkteve të importuara nga shteti i Serbisë dhe nga Bosnje e Hercegovina.

Madje për këtë vendim të qeverisë pati reagim edhe nga Bashkimi Evropian. Ishte pikërisht zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijnaciq e cila tha mbrëmë se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshje së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.

“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, ka thënë Koçijançiq.