PSD-ja, thirrje LDK-së e Vetëvendosjes për strategji opozitare

Aktuale November 05, 2018 - 14:11
Lajmet e fundit nga vendi

Partia Socialdemokrate vlerëson se dështimi i miratimit të rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve duhet të jetë mësim për opozitarët, shkruan “Zeri.info”.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi u ka bërë thirrje LDK-së dhe Vetëvendosjes që të bashkëpunojnë për ndërtimin e një strategjie opozitare në këtë çështje.

“Dështimi i votimit të projekt-rezolutës për  dialogun me Serbinë, të inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të cilën e votuan pa përjashtim të gjithë deputetët e Partisë Socialdemokrate, është vazhdimësi e arrogancës shpërfillëse të pushtetit, por edhe mësim për ata opozitarë që nuk duan ende ta kuptojnë se nëse duam të kemi efekte dhe rezultate konkrete në kundërshtimin e pushtetit dhe Presidentit Thaçi, mbetet e domosdoshme që të ndërtojmë një strategji të përbashkët vepruese opozitare për veprim në kuvend dhe jashtë tij”, ka thënë Kuçi për “Zërin”.

LEXO EDHE: PSD-ja fajëson LDK-në e Vetëvendosjen për dështimin e rezolutës

Ajo më tej ka thënë se nuk merr fund procesi i dialogut me Serbinë me mosmiratimin e projekt-rezolutës, pasi sipas saj, dialogu që po pretendon me qenë final ende nuk ka filluar. “E vërtetë se Presidenti Thaçi po vazhdon takimet, por po aq e vërtetë është se « dialogu final » nuk ka filluar ende edhe për shkak se Presidenti Thaçi nuk e ka legjitimitetin për ta bartur në emër të Kosovës. Kjo përgjegjësi dhe detyrë është e Kuvendit të Republikës, prej ku duhet të burojë platforma, ekipi negociues dhe komision mbikëqyrës”, ka shtuar zëdhënsja e PSD-së.

Sipas Kuçit, mosmiratimi i projekt-rezolutës nuk fuqizoi asnjë ide, ndërsa ideja e korrigjimit të kufijve mbetet ende vetëm e presidentit Hashim Thaçi.

“Partia Socialdemokrate konsideron se duhet ta vazhdojmë bashkërendimin me të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, e që ta votojmë aty platformën shtetërore, ekipin negociues dhe komisionin mbikëqyrës. Hapësirat dhe mundësitë ekzistojnë. Vetëm duhet vullnet politik nga qeveria, e më shumë bashkërendim dhe bashkëveprim brenda opozitës”, është shprehur ajo.

Përfaqësuesja e PSD-së në fund nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizmit të protestave, megjithatë ka theksuar nevojën e korrodinimit të subjekteve opozitare për ta kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve.

“Sa i përket protestave, si PSD, jemi të interesuar dhe të gatshëm për protesta gjithëpërfshirëse. Koha ka dëshmuar se ato janë jo vetëm më legjitime, por edhe më efikase në efekt dhe në rezultat. Por, duke marrë parasysh sidomos fuqinë e sotme të opozitës në numra në parlament, ne vazhdojmë të mendojmë se kundërshtimi politik ndaj Presidentit Thaçi duhet të bëhet bashkërisht si opozitë, përmes një strategjie dhe plani të përbashkët; si për veprimet në Kuvendin e Republikës, ashtu edhe jashtë tij. Kjo do t’i rriste gjasa të kemi efekt dhe rezultate konkrete politike në kundërshtimin e pushtetit, gjë që fatkeqësisht nuk ka ndodhur deri tani”, ka përfunduar Kuçi. /Zëri/