Degradon Kuvendi, fyerje dhe përleshje fizike mes deputetëve

Aktuale November 03, 2018 - 07:52
DETAJET

Marigona Brahimi/Prishtinë

Mospajtimet ndërmjet deputetëve të partive të ndryshme në seancat e Kuvendit shpeshherë kanë dërguar deri në përplasje të ashpra, ku nuk po mungojnë as ofendimet ndërmjet deputetëve. Përfaqësues të partive politike në vend, si dhe njohës të çështjeve politike thonë se gjuha e deputetëve ka degraduar dukshëm në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat. Për më tepër, përplasjet e ofendimet ndërmjet deputetëve po përcillen edhe jashtë Kuvendit, madje edhe në studiot televizive, të cilat në të paktën dy raste kanë përfunduar edhe me përleshje fizike

Kurteshi: Vetëvendosja distancohet nga gjuha ofenduese që po përdoret në Kuvend

Përplasje të ashpra kanë ndodhur të mërkurën në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca dhe ai i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka patën një përplasje verbale.

Për këtë diskurs të vrazhdët komunikimi u deklarua për gazetën “Zëri” deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi, duke thënë se ai në emrin e tij, por edhe në atë të partisë qëndrojnë kategorikisht kundër kësaj gjuhe dhe këtyre sjelljeve. “Edhe në emrin tim, por edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje qëndrojmë shumë kundër kësaj gjuhe të ashpër që po përdoret madje edhe prej njerëzve të cilët nuk do të duhej në asnjë mënyrë ta përdornin, siç janë njerëzit në krye të institucioneve”, ka thënë Kurteshi për gazetën “Zëri”.

Ai tha se gjuha fyese që përdoret përgjithësisht brenda institucioneve e veçanërisht në Kuvend ofendon edhe votuesit e tyre. “Çështja e përdorimit të gjuhës duhet të përmirësohet dukshëm në të gjitha institucionet e sidomos në Kuvendin e Kosovës, ne deputetët mund të kundërshtojmë dhe mund të mos pajtohemi, por assesi nuk bën të ofendohemi, sepse në fund të fundit secili prej nesh kemi votuesit tanë, të cilët mund të ndihen të fyer nga këto veprime”, shtoi Kurteshi.

Përveç debatit të ashpër që patën në Kuvend, Milaim Zeka vazhdoi me akuza të rënda ndaj deputetit Glauk Konjufca edhe në një studio televizive, ndërsa më pas është raportuar se Konjufca e ka paditur dje Zekën në gjykatë.

Sejdiu: Kuvendi po njolloset nga papërgjegjësia e deputetëve

Edhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu tha se të zgjedhurit e popullit duhet të reflektojnë dhe të tregojnë kujdes në deklaratat e tyre. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” Sejdiu ka thënë se në dy legjislaturat e fundit gjuha e përdorur në Kuvend ka degraduar mjaft shumë. “Fatkeqëësisht ky denigrim shihet shumë më i theksuar gjatë legjislaturës së fundit dhe asaj aktuale. Ne si deputetë duhet të marrim përgjegjësi për pozitat që kemi dhe të tregojmë kujdes të shtuar në deklarimet dhe në veprimet tona qoftë në Kuvend ose edhe jashtë institucionit, pasi veprimet e pahijshme njollosin jo vetëm deputetin, por edhe Kuvendin si tërësi”, potencoi deputeti Sejdiu.

Sejdiu tha se duhet intensivisht të investohet që të kthehet besimi i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës dhe se shpreson që këto veprime të ndikojnë tek qytetarët që me votën e tyre të përcaktojnë në të ardhmen se kush duhet t’i përfaqësojë ata.

Po ashtu në mbrëmjen e së mërkurës u raportua edhe për përleshje fizike pas një emisioni mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveqlës dhe ish-bashkëpartiakut të tij Frashër Krasniqit, tashmë deputet i Partisë Socialdemokrate. Gjatë këtij incidenti kishte qenë e pranishme edhe deputetja Besa Gaxherri, e cila për gazetën “Zëri” ka pranuar se ka pasur konfrontim fizik pavarësisht që deputetët Sveçla e Krasniqi e mohuan, duke thënë se ka pasur vetëm përplasje verbale.

Komunikimi i deputetëve ofendon qytetarët e vendit

Ndërkohë, analisti politik Ramush Tahiri në një përgjigje për gazetën “Zëri” i quajti të paedukuar deputetët që përdorin gjuhën denigruese në Kuvend.

Sipas tij, deputetët po përdorin gjuhë që nuk i takon një institucioni si Kuvendi dhe siç tha ai, “ata janë të tillë edhe jashtë tij, prandaj nuk mund të pritet që Parlamenti t’i ndryshojë”. “Gjuha e ashpër dhe fyese që po përdoret në Kuvend e shpreh kulturën e deputetëve që janë zgjedhur, prejardhjen nga janë, shtresën, shkollimin e tyre dhe edukatën dhe ky është term që vlen kudo, ata janë të edukuar ashtu si flasin dhe Kuvendi nuk mund t’i bëjë të tjerë persona”, tha Tahiri për gazetën “Zëri”.

Edhe analistja Besa Luzha komunikimin e deputetëve në seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës e konsideroi si të papranueshëm dhe si ofendim ndaj qytetarëve.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Luzha tha se komunikimi i drejtë dhe pa ofendime është çelësi i zgjidhjes së problemeve, të cilin, siç tha ajo, nuk po e përdor asnjëri nga deputetët. “Kjo që po shohim dhe po dëgjojmë nga deputetët është e papranueshme, mund të kritikojmë fenomenin, por nuk ka nevojë të ofendojmë njëri-tjetrin, sidomos në institucionin më të lartë siç është Kuvendi”, tha Luzha.

Ajo potencoi se ky lloj komunikimi është problem tejet i madh që kërkon zgjidhje të menjëhershme, duke shtuar se duhet të merren masa ndaj secilit që flet me këtë lloj gjuhe.