Opozita, 'penallti' Thaçit

Aktuale November 03, 2018 - 07:45
Lexo tjera detaje
Image

Mosmiratimi i rezolutës së opozitës në Kuvend i ka hapur rrugë presidentit Hashim Thaçi që të vazhdojë ta proklamojë idenë e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë. Analistët politikë vlerësojnë se i pari i shtetit po shpreson ta marrë edhe lejen nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që ta anashkalojë plotësisht Parlamentin për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit i është hapur rruga që ta proklamojë edhe më tutje idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, sidomos pas dështimit të enjten në Kuvend të rezolutës së iniciuar nga opozita, e cila po që se do të miratohej do t’ia ndalonte të parit të vendit ta paraqiste një ide të tillë.

Kanë qenë shtatë ose tetë deputetë të opozitës, të LDK-së dhe të Vetëvendosjes, të cilët nuk kanë marrë pjesë në votim për rezolutën në fjalë, duke u arsyetuar me udhëtime jashtë vendit ose me termine për viza në ambasadat e Bashkimit Evropian në vend.

Por, analistët politikë në vend vlerësojnë se pas këtij dështimi në Kuvend Thaçi po pret përgjigje edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, nga e cila ka kërkuar përgjigje nëse mund të arrijë marrëveshje ndërkombëtare në emër të Kosovës, atëherë, siç thonë ata, do t’i krijohej mundësia për anashkalimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.

Akuzat pozitë-opozitë për rezolutën

Partitë e koalicionit qeverisës e akuzojnë partinë më të madhe opozitare (LDK) për dështimin e rezolutës.

Shefi i Grupit Parlament të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka deklaruar për “Zërin” që dështimi i rezolutës së opozitës ndodhi, siç thotë ai, për fajin e partisë opozitare të LDK-së, e cila nuk pranoi të harmonizonte qëndrimet e saja me ato të koalicionit PAN. “Çdo rezolutë e iniciuar nga ndonjë grup parlamentar kërkon harmonizimin e partive politike dhe pas kësaj mund të vihen deri te votimi. Duke pasur parasysh temën shumë të rëndësishme që ka të bëjë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë do të duhej që pikat që kanë të bëjnë me grupet e tjera parlamentare të harmonizoheshin, gjë që nuk u pranua nga LDK-ja, e cila këmbënguli që vetëm me një pikë të përcaktuar të shkonte rezoluta. Nuk kishte gatishmëri nga kjo parti që të harmonizohej rezoluta”, ka thënë Isufi.

Ndërkohë, Isufi ka thënë që rezolutat në Kuvend për dialogun me Serbinë po bëhen për interesa të partive politike. “Ka disa muaj që i janë ofruar disa rezoluta nga grupet parlamentare, por po shihet që lufta më shumë po bëhet për një angazhim të linjave politike të ngushta partiake sesa të një interesi nacional për të cilën thirremi, prandaj kërkesa jonë ishte të harmonizohet teksti”, ka thënë më tutje ai.

Isufi ka potencuar se partia e tij dhe pjesa tjetër e koalicionit PAN ofruan gjashtë pika, të cilat ishin në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që garantonte moscenimin e kufijve dhe tërësinë territoriale të vendit, pika këto të cilat nuk i pranoi LDK-ja.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas dështimit të rezolutës ka thënë që arsyeja se pse koalicioni qeverisës nuk e votoi rezolutën e partisë së tij është sepse me këtë gjë do të rrëzohej qeveria “Haradinaj”. “Nëse deputetët e koalicionit do ta votonin rezolutën e opozitës, atëherë Qeveria do të rrëzohej. Kjo është arsyeja pse disa parti të koalicionit PAN nuk e votuan rezolutën. Ndryshe nuk ka kuptim refuzimi i tyre, pasi në deklarata janë të zëshëm kundër negocimit të kufijve”, ka thënë Hoti.

PSD: Të mos përfundojnë përpjekjet për ta ndalur Thaçin

Natyra Kuqi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, ka thënë për “Zërin” se dështimi i rezolutës së opozitës për dialogun ndodhi për faj të partive në pushtet. “Dështimi i djeshëm i votimit të projekt-rezolutës për dialogun me Serbinë, i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të cilën e votuan pa përjashtim të gjithë deputetët e Partisë Socialdemokrate, është vazhdimësi e arrogancës shpërfillëse të pushtetit, por edhe mësim për ata opozitarë që nuk duan ende ta kuptojnë se nëse duam të kemi efekte dhe rezultate konkrete në kundërshtimin e pushtetit dhe të presidentit Thaçi mbetet e domosdoshme që të ndërtojmë një strategji të përbashkët vepruese opozitare për veprim në Kuvend dhe jashtë tij”, ka thënë ajo.
Mirëpo, sipas saj, përpjekja e Kuvendit për ta ndalur Thaçin nuk duhet ndalur me kaq. “Por nuk merr fund procesi i dialogut me Serbinë me mosmiratimin e projekt-rezolutës së djeshme. Dialogu që po pretendon të jetë final ende nuk ka filluar. E vërtetë se presidenti Thaçi po vazhdon takimet, por po aq e vërtetë është se ‘dialogu final’ nuk ka filluar ende edhe për shkak se presidenti Thaçi nuk e ka legjitimitetin për ta bartur në emër të Kosovës. Kjo përgjegjësi dhe detyrë është e Kuvendit të Republikës, prej ku duhet të burojë platforma, e ekipit negociues dhe e komisionit mbikëqyrës”, ka theksuar ajo.

Kusari-Lila: Nëse Thaçi vazhdon me këtë ide mund të shkarkohet

Deputetja e partisë tjetër opozitare Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për “Zërin” që nëse presidenti Thaçi vazhdon idenë e tij për korrigjim, atëherë, siç thotë ajo, ai mund të shkarkohet nga pozita. Presidenti Thaçi nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi me këtë ide, sepse ai nuk e ka mandatin të negociojë ose të flas për shkëmbim të territorit, ose korrigjim të kufijve. Presidenti Thaçi e di atë dhe nëse një gjë e tillë bëhet ai e ka të qartë se rrezikon shkarkimin për shkak të shkeljes së Kushtetutës së vendit”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, dështimi i rezolutës për dialogun sipas deputetes së Alternativës nënkupton që patjetër duhet të tentohet të arrihet konsensusi midis partive politike. “Dështimin e rezolutës për dialog nuk e shoh si fuqizim të presidentit, por argumentim se vazhdimësia e kësaj ideje vetëm mund t’ia rrezikojë atij pozitën si president i vendit, duke marrë parasysh se rrezikon integritetin territorial të Kosovës. Po ashtu kjo dëshmon që duhet ende përpjekje mes pozitës dhe opozitës që të ndërtohet një konsensus ose të mbyllet mosbesimi që është krijuar mes këtyre dy blloqeve”, ka theksuar ajo.
Ndërsa lidhur me kërkesën e presidentit Thaçi ndaj Gjykatës Kushtetuese që t’i mundësohet atij anashkalimi i legjislativit në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, Kusari-Lila ka thënë që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. “Çështja e kufijve është e ndarë nga marrëveshjet ndërkombëtare. Çështja e kufijve dhe e integritetit territorial është ekskluzivisht e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mundet Gjykata Kushtetuese të komentojë diçka që implikon ndryshime masive, siç është ndryshimi i kufijve dhe të mos miratohet nga Kuvendi, sepse vetëm Kuvendi është organ i cili e miraton Kushtetutën dhe e mandaton presidentin dhe në rast se ka shkelje, atëherë mund të ketë edhe shkarkim të presidentit”, potencoi ajo.  


“Mosmiratimi i rezolutës trimëroi Thaçin”

E Eugen Cakolli, nga KDI-ja, ka thënë për “Zërin” që me mosmiratimin e rezolutës së opozitës për dialogun presidentit Thaçi veçse i hapet rruga që idenë e tij për korrigjim ta proklamojë më tutje. “Presidenti pavarësisht kundërshtimeve të kryeministrit Haradinaj, të pothuajse të gjitha subjekteve politike, si dhe të shoqërisë civile, ka vazhduar që idenë e tij ta proklamojë gjatë takimeve të zhvilluara si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Andaj, konsideroj që presidenti do të vazhdojë ta shtyjë përpara këtë ide dhe një gjë të tillë do ta bënte edhe nëse potencialisht rezoluta do të votohej dje”, ka thënë ai.
Kurse lidhur me dështimin e rezolutës së LDK-së ai ka thënë që mospajtimet mes pozitës dhe opozitës ndikuan që rezoluta të mos kalojë. “Dështimi i votimit të rezolutës së LDK-së ka qenë deri diku i pritur, duke marrë parasysh polarizimin dhe barrikadimin e pozitës dhe të opozitës sa i përket kësaj çështjeje. Në këtë drejtim duhet të mos harrohet ndikimi ende i madh që presidenti Thaçi ka brenda PDK-së, por edhe në vetë funksionimin e Qeverisë në përgjithësi”, ka theksuar ai.
Cakolli vlerëson se interpretimi i Nenit 18 dhe vendimi që Gjykata Kushtetuese do të marrë lidhur me kërkesën e presidentit do të jetë përcaktues i idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve. “Kjo do të jetë faktikisht pika determinuese e së ardhmes së idesë së presidentit, meqë në rast se Gjykata Kushtetuese vlerëson se presidenti nuk ka kompetenca për arritjen e marrëveshjes, atëherë edhe idetë e tij do të mundë të konsideroheshin njëmend politikisht të vdekura. Mirëpo në rastin tjetër kur Gjykata mund të vendosë se presidenti mund ta arrijë një marrëveshje në emër të Kosovës, atëherë atij do t'i krijohej hapësira për anashkalimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, si institucioni më i lartë ligjvënës”, ka thënë më tutje Cakolli.