Dështimi i rezolutës kundër Thaçit në Kuvend i hap rrugë protestave?

Aktuale November 02, 2018 - 23:08
Detajet

Dështimi i rezolutës për dialogun të premten në Kuvend duket se i ka dhënë fund rrugëve institucionale të opozitës për ta ndalur presidentin Thaçi në diskutimet me Serbinë për kufijtë e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka paralajmëruar protestën e radhës për të cilën nuk ka dhënë detaje për kohën dhe mënyrën e organizimit, dhe në këtë iniciativë ende nuk është e sigurt nëse do ta ketë përkrahjen edhe të Partisë Socialdemokrate të cilët nuk e kanë refuzuar as mohuar mundësinë e pjesëmarrjes.

Të paktën kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Natyra Kuçi, zëdhënëse e kësaj partie.

“Sa i përket protestës eventuale të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, ne nuk kemi informacione për momentin. Nëse ajo organizohet, pjesëmarrja dhe mbështetja jonë e mundshme si subjekt politik opozitar do të varet nga mënyra e organizimit, kauza dhe motivi i saj. Si PSD, jemi të interesuar dhe të gatshëm për protesta gjithëpërfshirëse. Koha ka dëshmuar se ato janë jo vetëm më legjitime, por edhe më efikase në efekt dhe në rezultat”, tha ajo.

Ndërsa sipas deputetes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, kjo parti edhe pse ishte deklaruar se në rast se shteren mundësitë institucionale do të organizojnë një protestë të tyre, një gjë të tillë nuk e kanë ndërmend ta bëjnë.

“Natyrisht që LDK-ja do t’i përdorë të gjitha metodat demokratike për të mirën e vendit. Nuk kemi biseduar për mundësinë e pjesëmarrjes në protestat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as të organizimit të ndonjë proteste nga ne. LDK-ja do t’i përdorë të gjithë mekanizmat demokratikë”, tha ajo.

Por Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se ende nuk janë shterur mundësitë institucionale për ta ndalur Presidentin Thaçi. Sipas tij, duhet edhe një tentativë e fundit për një rezolutë të koordinuar.

“Duhet të tentohet ende një rezolutë që tregon pozicionimin e Kuvendit karshi dialogut me Serbinë po edhe karshi edhe vijave të kuqe. Opozita duhet t’i gjejë pikat e përbashkëta me subjektet në pushtet për hartimin e rezolutën”, tha ai.

Sipas Muratit, protestat janë mjete demokratike dhe në rast se organizohet një protestë nga Vetëvendosje do të ishte mirë të që ketë një opozitë të bashkuar.

“Protesta është një mjet që mund të ketë rezultatet e veta, kësaj radhe do të duhej që subjektet të kenë veprime të koordinuara edhe të LDK-së në mënyrë që protestat të jenë sa më masovike”, tha ai.

Vetëvendosje më 29 shtator të këtij viti kishte organizuar protestën e saj për ta ndalur presidentin Thaçi, mirëpo nuk mori përkrahjen zyrtare të asnjërës nga subjektet e tjera opozitare, LDK e PSD, sado që në të morën pjesë deputetë të këtyre dy dy partive.