Pas dështimit të rezolutës së LDK-së, Alternativa me rezolutë të re që përfshinë edhe pikat e propozuara nga PDK

Aktuale November 02, 2018 - 19:58
Lexo tjera detaje

Pas dështimit që të ndalet Presidenti që të flas për kufijtë, përmes një rezolutë të propozuar nga LDK, po vazhdojnë përpjekjet që të arrihet një rezolutë tjetër.

Është Alternativa, që ka paralajmëruar një rezolutë, lidhur me dialogun, e që do të përfshinte edhe disa prej pikave të propozuara nga pozita.

Pas dështimit të rezolutës së propozuar nga LDK, Alternativa po tenton ta nxjerr një rezolutë tjetër, që ndërlidhet me dialogun.

Mimoza Kusari-Lila nga ky subjekt politik, thotë për RTV Dukagjinin se në planin e Alternativës për rezolutë, përfshihen edhe tri nga gjashtë pikat e propozuara nga PDK-ja.

“Propozimi i jonë i përbashkët nga LDK, Vetëvendosje dhe Alternativa nuk kaloi…Ne propozojmë që një rezolutë e re me të njëjtin tekst të merr edhe tri pikat e propozuara nga pozita, pika këto që nuk do të kenë ndonjë ndryshim real në formatin e delegacionit, apo komisionit të veçantë, por do të theksonin rolin e Kuvendit dhe përfshirjen e vendimeve që Kuvendi do t’i merrte për dialogun me 2/3 e votave”, tha ajo.

Në tri pikat e propozuara nga PDK, thuhet se Kuvendi përkrah një marrëveshje që do të siguronte njohje reciproke, kërkon themelimin e një komisioni që do të monitoronte nga afër procesin e dialogut, si dhe të nxirret një platformë e përbashkët, që do të përmbajë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proces.

Kusari Lila, thotë se që Thaçi të mos bisedojë për kufijtë, duhet një konsensus politik sa më shpejt.

“Ne e dimë se në muajin nëntor presidenti Thaçi është në Paris dhe askush ende nuk e ka të qartë se çfarë do të diskutojë më përfaqësuesit e Serbisë e as me përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë. Prandaj është shumë e rëndësishme që para kësaj date që Kuvendi i Kosovës të ketë një rezolutë e cila e ndalë çfarëdo diskutimi të mëtutjeshëm për ndryshim të kufijve të Kosovës”, deklaroi Mimoza Kusari-Lila.

LDK ende nuk ka marrë vendim për veprimet e saja të ardhshme, ndërsa Vetëvendosje, ka përmendur edhe mundësinë e protestave.