'E mbaj në vete, nuk i dihet'- Labinot Tahiri nuk tregon nëse do votonte për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale November 02, 2018 - 18:52
Lexo tjera detaje

Të enjten pas shumë debatesh e tentimesh, arriti që të futet në votim rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje që ia ndalon Thaçit të dialogojë për kufijtë dhe territorin e Republikës së Kosovës në Bruksel me Serbinë.

Megjithatë një rezolutë e tillë nuk mori përkrahjen e shumicës. Në gjithsejtë 50 vota pro sa mori rezoluta, dy vota ishin të dy deputetëve të pushtetit, Labinot Tahirit dhe Islam Pacollit, ndërsa munguan votat e katër deputetëve të opozitës, Naser Rugovës, Naser Osmanit, Anton Qunit e Fatmire Kollçakut.

Por a mund të shihen dy votat e pushtetit ‘pro’ kësaj rezolute si afrim i këtyre të fundit me opozitën, dhe a mund të llogaris opozita në këto dy vota, në rast se tenton ta rrëzojë qeverinë Haradinaj.

Deputeti Labinot Tahiri, ka thënë një përgjigje të tillë e mbanë brenda vetes, megjithatë ai thotë se nëse e sheh se gjërat nuk po shkojnë siç duhet do të veprojë si gjithmonë.

“Ajo është përgjegjësia e imja që e mbaj në vete. Nuk i dihet. Por unë e mbaj në vete. Por nëse e shoh që diçka nuk është në rregull sa i përket vendit unë veproj ashtu siç ma merr mendja mua, qysh kam votuar që një vit e gjysmë” ka thënë ai për Gazetën Express.

Lidhur me votën ‘pro’ për rezolutën në seancën e 1 nëntorit, deputeti i AKR-së thotë se ka votuar me vetëdije të plotë, për faktin se në rezolutë bëhej fjalë për ruajtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

“Nuk e kam votuar atë për me ia ndalu Thaçit, se presidentet e vendit munden me negociua. Por kur është fjala për territor, atëherë i bie që unë jam pro territorit që mos me u dhanë për Serbinë, që flitet Veriu e Ujmani. Esenca është që unë kam votua me plotë vetëdije, vetëm pse shkruan në rezolutë për t’u mbrojtë territori i Kosovës. Kjo nuk do të thotë që pozita nuk e ka mbrojt, sepse nga pozita ka veteran të Luftës, por unë këtu shoh inati politike. Por edhe pse unë votova, nuk ishin prezent shumë deputet të opozitës. Por nuk më pengon aspak, sepse unë kam përgjegjësinë si deputet ta bëj veprimin e duhur, dhe mendoj që është veprim i duhur kur është në pyetje territori”, ka shtuar Tahiri.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për unifikim të faktorit politik shqiptar brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të defaktorizmimit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

“Lus deputet që të arrijnë një bashke mendim për të dalë nga kjo krizë, sepse as situata nuk është për zgjedhje, dhe as ndërkombëtarët nuk na përkrahin. I bëj thirrje deputetëve të opozitës që t’i bashkohen qeverisë. Në momentet kyçe duhet të bëhemi bashkë me e sfiduar Listën Serbe, me i tregu se s’mundesh çdo herë me luajt rol brenda Kuvendit të Kosovës, sepse këtu është Kosovë dhe nuk është Serbi, dhe se këtu vendosin shumica parlamentare”, ka përfunduar Tahiri.