Përçarjet e mëdha në Degën e PDK-së në Skenderaj

Aktuale October 29, 2018 - 08:36
Lexo detajet
Image

Në hapje të fushatës për zgjedhjet e brendshme kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe ai i Degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që duan “ta provojnë veten” të hyjnë në garë. Shtatë (7) asamblistët e përjashtuar nga PDK-ja në janarin e këtij viti, si dhe deputeti Bekim Haxhiu nuk merrnin pjesë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse kanë vendimet në xhep, shtatë asamblistë të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, të përjashtuar me një vendim të Kryesisë së Degës së PDK-së më 23 janar 2018, edhe më tutje e konsiderojnë veten pjesë të PDK-së.

LEXO EDHE: Opozita të enjten “matet” me Thaçin
Disa prej tyre madje i kanë kërkuar Kadri Veselit që të ndërmarrë masa ndaj atyre, siç thonë, “e kanë privatizuar partinë për interesa personale, klanore e grupore, për t’u pasuruar dhe kanë shndërruar në biznes personal”.
Por, asnjëri prej tyre nuk është parë fare në hapje të fushatës për zgjedhjet e brendshme në PDK, në të cilën kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i Degës së PDK në Skenderaj, Sami Lushtaku, u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që duan “ta provojnë veten” që të hyjnë në garë.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli tha se “ata që nuk kanë ardhur në konventë mund ta dëmtojnë PDK-në”, por ka siguruar se adresa e vetme për zhvillimin e Skenderajt është zyra e PDK-së në këtë Komunë.

Kryesuesja e Kuvendit të Skenderajt, e cila është në mesin e 7 asamblistëve të përjashtuar nga PDK-ja, Fatbardha Haliti, në një deklaratë pas ngjarjeve të turpshme kur në mbledhjen e Kuvendit u rrah asamblisti Malsor Bejta, tha se “ndien keqardhje për një pjesë të asamblistëve që janë nga partia ime (PDK), të cilët votuan kundër buxhetit të Komunës, votuan kundër projekteve infrastrukturore e zhvillimore të Skenderajt, votuan kundër buxhetit që qytetarët e kërkuan, votuan kundër interesit të qytetarëve të Skenderajt, këtë e bënë vetëm për interesa krejtësisht personale e grupore dhe për më keq, edhe nxitën dhunë, për çka ndiej keqardhje”.

“Partia ime, Partia Demokratike e Kosovës në Skenderaj, nga një grup i caktuar, për interesa krejtësisht personale, ka degraduar në pozitë të atillë që të dalë kundër investimeve në Skenderaj. Si femra e parë kryesuese në Asamblenë e Skenderajt sinqerisht kam pritur mbështetje më të fuqishme nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga kryetari Kadri Veseli, të cilin e ftoj që të dëshmojë se është pro femrës në vendimmarrje, pro reformës në PDK dhe të ndalojë këtë degradim dhe privatizim të PDK-së, në Skenderaj. Kur jam futur në politikë pritjet e mia kanë qenë të mëdha, kryetar Kadri Veseli, mos na zhgënjeni, sepse ka plot femra dhe të rinj që sytë i kanë drejtuar nga ju, po presin vendimin tuaj, për reforma ose për të vazhduar me këtë degradim”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq asamblisti tjetër, gjithashtu i përjashtuar nga PDK-ja, Ilir Ejupi, i ka kërkuar kryetarit të PDK-së Kadri Veselit veting dhe reforma në parti. Ai i ka rekomanduar Veselit që PDK-në ta lirojë nga zhvatësit dhe të korruptuarit.

“Zgjedhjet e brendshme në PDK janë moment i rëndësishëm i reflektimit të lidershipit, të strukturave dhe të anëtarësisë së saj. Partia Demokratike e Kosovës është bartëse e të gjitha proceseve të rëndësishme në vend që nga shpallja e Pavarësisë e këtej, por përveç të arriturave ka edhe përgjegjësinë e saj për deformimet që kanë ndodhur në qeverisje nga eksponentë, individë dhe grupacione të caktuara në PDK, të cilët e shfrytëzuan partinë dhe pushtetin për t’u pasuruar për vete, për të cilët PDK-ja është biznes familjar”, ka thënë Ejupi. 

Ndërkaq Daut Kajtazi, kryetar i Nëndegës së PDK-së në Tërrnovë, mosprezencën e disa njerëzve, siç thotë ai “aktivist të dalluar dhe të devotshëm”, në hapje të fushatës e ka quajtur të dëmshme për partinë.

“Kjo lë të kuptohet se një pjesë e madhe e aktivistëve janë të pakënaqur me atë që po ndodh në PDK-në e Skenderajt, prandaj ne që i fituam të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në nëndegët dhe në seksionet tona kemi të drejtë t’u kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejoni që njerëz të caktuar PDK-në ta bëjnë biznes të tyre, siç e kanë bërë. Ne kemi punuar aq shumë për PDK-në dhe nuk kemi përfituar asgjë, përderisa disa përfitues të PDK-së më shumë kanë miliona në banka se që kanë vite jetë, prandaj ju duhet ta mbani premtimin që njerëzit nën hetime ose të akuzuar për korrupsion nuk kanë vend në PDK”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, asnjëri prej tyre e as kryesuesja Fatbardha Haliti, Ilir Ejupi e as Daut Kajtazi nuk e kanë pasur guximin ta thonë me emër se kush janë zhvatësit dhe ata që kanë privatizuar PDK-në, kush janë ata që PDK-në e kanë shndërruar në biznes privat dhe kush janë ata që bërë miliona euro në kurriz të PDK-së dhe të shtetit të Kosovës.

Ndryshe, më 23 janar 2018 Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj kishte marrë vendimin për përjashtimin nga PDK-ja të shtatë (7) asamblistëve të vet: Azem Gashi, Musa Fazliu, Fatbardha Haliti, Ilir Ejupi, Sami Aruçi, Driton Hetemi dhe Fatlume Kodra, për, siç thuhet në vendimin të cilin e posedon gazeta “Zëri”, “kanë nxitur përçarje brenda PDK-së dhe nuk kanë përfillur vendimet dhe qëndrimet politike të organeve legjitime të PDK-së, Dega në Skenderaj”.

“Vendimi ka qenë unanim. Ata janë përjashtuar sepse nuk kanë respektuar partinë, nuk kanë përfillur vendimet e PDK-së, ata edhe kanë përçarë partinë. Është vendim i Kryesisë që ata të përjashtohen”, i pati thënë “Zërit” kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Në të njëjtën mbledhje të Degës së PDK-së ishte shkarkuar nga Kryesia e Degës deputeti Bekim Haxhiu, i cili konsiderohej si njeriu që ka shkaktuar përçarje në degë. Deputeti Haxhiu kishte deklaruar se nuk e njeh Kryesinë e Degës së PDK-së në Skenderaj dhe vendimet që merr, madje ai kishte thënë se i përgjigjet vetëm Kadri Veselit. Në këtë deklaratë të deputetit Haxhiu ishte përgjigjur kryetari i Degës, Sami Lushtaku.

“Unë i marr vendimet për shkarkim dhe ato nuk mund t’i kthejë askush.  Bekim Haxhiu është i njohur për lidhjet e tij me Mitrovicën. Ai bën fushatë edhe në Mitrovicë, më parë ka qenë në krye të KF ‘Trepça’. Ai është edhe i Skenderajt, edhe i Mitrovicës, nëse i vyen është edhe i Fushë Kosovës”, ishte shprehur me këmbëngulje Sami Lushtaku, duke siguruar anëtarësinë e PDK-së dhe gjithë simpatizantët dhe elektoratin se në zgjedhjet e brendshme PDK-ja në të gjitha nivelet do të lirohet nga njerëz që kanë punuar vazhdimisht kundër partisë, nga njerëz të luhatshëm dhe pa kredibilitet, të cilët më shumë i kanë bërë dëm PDK-së se që e kanë ndihmuar.

E me gjithë pohimet se nuk mund ta shkarkojë kryetari Lushtaku, deputeti Bekim Haxhi dhe 7 asamblistët e përjashtuar nuk kanë marrë pjesë në asnjë mbledhje të Kryesisë së Degës së PDK-së në Skenderaj e as në ndonjë mbledhje të organizuar nga PDK-ja. Ata nuk janë parë as në hapje të fushatës për zgjedhjet e brendshme në parti, të mërkurën.   /ZERI