Koalicioni, në bllokadë

Aktuale October 29, 2018 - 08:10
Lexo detajet
Image

Në mungesë të kuorumit të nevojshëm Kuvendit të Kosovës qe pesë muaj i kanë mbetur pesë seanca të papërfunduara. Madje një seancë e nisur që nga sesioni pranveror ende s’ka përfunduar, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për pesë muaj pesë seanca të Kuvendit të Kosovës kanë mbetur të papërfunduara në mungesë të kuorumit të nevojshëm, përderisa vetëm një ka përfunduar në tërësi.

Kështu thonë për “Zërin” monitoruesit e punës së legjislativit, të cilët bëjnë të ditur se ky institucion që nga sesioni pranveror ende nuk ka arritur ta përmbyllë seancën e nisur me disa pika nga rendi i ditës.

LEXO EDHEMë shumë se 10 shtete të BE-së kundër liberalizimit

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se Kuvendi ka qenë jofunksional që nga sesioni pranveror i punës së këtij institucioni.
“Kuvendi i Kosovës ka qenë jofunksional që nga sesioni pranveror i punës së këtij institucioni si pasojë e problemeve me sigurimin e kuorumit të nevojshëm për votim të ligjeve. Për mungesë kuorumi pesë seanca kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji qershor i këtij viti e ku ishte paraparë miratimi final i disa projektligjeve dhe raporteve vjetore të institucioneve të pavarura, të cilat nuk kanë arritur të hidhen në votim për shkak të mungesës së kuorumit”, ka thënë ajo për “Zërin". 

Haxhiu vlerëson se gjetja e një konsensusi midis partive politike është më se e nevojshme në këtë situatë.

“Ne si KDI konsiderojmë që subjektet politike në vend duhet t’i hapin rrugë konsensusit politik, meqenëse në situatën aktuale është e pamundur të ketë funksionim normal të Kuvendit të Kosovës pa pasur ndonjë ndryshim substancial në pozicionet aktuale politike”, ka theksuar Haxhiu.
Përndryshe, sipas Haxhiut, përmbushja e agjendës së Qeverisë do të jetë shumë sfidë për Kuvendin në qoftë se do të vazhdojë të jetë në këtë nivel performanca e punës së tyre.
“Nëse Kuvendi vazhdon të jetë i paorganizuar, sikurse kishte ndodhur në sesionin pranveror, pa një orar të rregullt të mbajtjes së seancave dhe pa mbledhje të komisioneve parlamentare, nuk do të mundë të ketë produktivitet në punë. Në mënyrë që të mos shkaktohet mungesë kuorumi Kryesia e Kuvendit duhet ta kthejë praktikën e mbajtjes së seancave në ditën e enjte, eventualisht në të premten, në mënyrë që t’u jepet hapësirë komisioneve parlamentare që mbledhjet e tyre t’i mbajnë ditëve të tjera”, ka thënë më tutje ajo.

 Nagavci: PSD-ja po ia zgjat jetën Qeverisë
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë për “Zërin” që koalicioni qeverisës nuk po arrin ta plotësojë agjendën e vet si pasojë e mungesës së numrave të nevojshëm për kalimin e projektligjeve. Ajo ka vlerësuar se koalicioni aktual PAN është koalicioni më i dobët dhe më i dëmshëm deri më tani.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria kanë qenë të kufizuar në punën e vet pikërisht për faktin që mazhoranca ka dështuar të realizojnë agjendën e Kuvendit, por edhe të shtyjnë përpara çështjet me interes për vendin. Ne si LVV vazhdojmë të mendojmë që zgjidhja më e mirë për vendin janë zgjedhjet, sepse kemi një Qeveri shumë të dobët sa u përket numrave, por në anën tjetër shumë agresive në veprimet që i bën”, ka thënë ajo.
Sipas Nagavcit, përderisa partitë në pushtet nuk i kanë numrat në Kuvend Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në votime vetëm për çështje me interes për vendin.

“Pavarësisht faktit që ne jemi opozitë, ne megjithatë po mundohemi të shtyjmë çështje të cilat janë me interes për vendin. Kemi shprehur opozitarizmin tonë duke bojkotuar agjendën e Qeverisë, por ne kemi qenë të organizuar që të përkrahim çështjet që kanë qenë me interes për vendin. Së fundmi kemi marrë pjesë në votimin e pakos së ligjeve të FSK-së, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nevojiten të kenë 2/3-at, është obligim i Qeverisë t’i sigurojë numrat për të shtyrë përpara agjendën e vet”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa lidhur me pjesëmarrjen e PSD-së në seanca të Kuvendit, Nagavci ka thënë që ky hap i tyre ia zgjat jetën koalicionit qeverisës.

“Fakti që PSD-ja po merr pjesë në seancë duke i mundësuar Qeverisë kuorumin nuk është diçka e mirë, sepse po ia mundëson kësaj qeverie, që ka minimumin e numrave e që është me dobët se gjitha qeveritë e tjera, të vazhdojë qeverisjen”, ka theksuar ajo.

PSD: S’e përkrahim lojën e LDK-së dhe të LVV-së
Në anën tjetër, deputetja e PSD-së Besa Baftiu ka thënë për “Zërin” se pavarësisht se Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionalizuar normalisht partia e saj nuk do t’i bojkotojë seancat e Kuvendit. Ndërkohë ka theksuar se nuk e përkrahin “lojën” e LDK-së dhe të LVV-së për bojkotim të disa seancave.

“Kuvendi i Kosovës nuk është duke funksionuar. Jeni duke e parë se ne si PSD jemi duke marrë pjesë në seanca, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja disa herë marrin pjesë e disa herë jo. Ne qëndrimin tonë e kemi të qartë, do të marrim pjesë në seanca dhe ne nuk do të bëjmë lojë që herë të vijmë në seancë e herë jo. Ato janë qëndrime politike të tyre, nuk dua të merrem me atë, por besoj që derisa ne nuk i kemi numrat ta rrëzojmë këtë qeveri duhet të punojmë në Kuvend, pasi që për atë jemi zgjedhur nga qytetarët”, ka theksuar Baftiu.
Ajo ka thënë që ka mënyra të tjera me të cilat opozita e vendin mund të pamundësojë punën e koalicionit qeverisës.

“Ne si opozitë asnjëherë nuk kemi qenë në numër më të madh, pra ne shumë herë mundemi ta dirigjojmë Qeverinë, qoftë duke mos ua votuar ligjet që ne konsiderojmë se nuk janë të mira, qoftë përmes iniciativave të tjera. Pra, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e opozitës së bashkuar në Kuvend kundër pozitës deri në momentin që kjo Qeveri shkon në shtëpi”, ka thënë më tutje ajo.

Lekaj: E çojmë mandatin në fund

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i ka komentuar përpjekjet e opozitës kosovare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, teksa ka thënë se Qeveria “Haradinaj” mandatin do ta dërgojë deri në fund.

“Ne si AAK jemi të gatshëm çdoherë që t’u përgjigjemi qytetarëve. Nëse opozita i ka numrat, atëherë ne jemi të gatshëm. Mirëpo një mesazh e kam për opozitën, kjo qeveri do ta kryejë mesazhin e saj edhe për katër vjet”, ka deklaruar Lekaj. Ai ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. /ZERI