Tahiri: VV-ja dhe Lista Serbe po kundërshtojnë fuqishëm reformat në drejtësi

Aktuale October 28, 2018 - 18:41
Lexo detajet

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri përmes një postimi në profilin zyrtar në “Facebook”, ka reaguar ndaj pretendimit të lëvizjes Vetëvendosje që institucionet që janë përgjegjëse për sundimin e  ligjit janë përgjegjëse për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, raporton “Zëri.info”.

Tahiri ka thënë që kjo ministri për 14 muaj ka bërë reforma të thella në drejtësi si në sundimin e ligjit ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e për gjëra të tjera.

Sipas tij këto reforma kanë ndikuar pozitivisht në përmbushjen e kritereve si dhe për rekomandimin për heqjen e vizave për kosovarët.

Ky është postimi i plotë i tij:

Është e pa pranueshme që kundërshtarët më të mëdhenj të lëvizjes së lirë përmes konferencave për shtyp të glorifikojnë qëndrimet e tyre si alternativë, përkundër faktit se në përditshmëri refuzojnë të kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Për informimin korrekt të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju rikujtojmë se për 14 muaj me radhë janë ndërmarrë reforma të thella në drejtësi, përfshirë transformimin e politikës penale në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, fuqizimin e gjyqësorit, të drejtave pronësore, kodifikimit të së drejtës civile si dhe përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane.

Këto reforma kanë ndikuar drejtpërdrejtë në vlerësimin pozitiv nga ana e Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve si dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Janë dy subjekte politike që i kanë kundërshtuar në vazhdimësi këto reforma, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Këto dy subjekte politike përmes abuzimit me mandatet që kanë duke shfaqur papërgjegjësi të plotë në mbështetje të këtyre reformave, çdo ditë i kanë kontribuar dhe i kontribuojnë skeptikëve të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, jam i bindur se krahas përmbushjes së secilit obligim të Republikës së Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, vendet e Bashkimit Evropian do të njohin kredencialet e përpjekjeve tona institucionale dhe shoqërore, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm brenda Zonës Shengen, si e drejtë e pa alternativë. /ZËRI