Qeveri e madhe me suksese të vogla

Aktuale October 26, 2018 - 07:49
Ky është suksesi i vetëm i qeverisë
Image

Partitë opozitare dhe analistët politikë vlerësojnë se kryeministri Haradinaj e udhëheq një Qeveri shumë të madhe, e cila sipas tyre ka shënuar suksese të vogla. Sukses i këtij kabineti qeveritar vlerësohet procedimi i tri projektligjeve për transformimin e FSK-së, përderisa si dështime: mosliberalizimi i vizave me BE-në, mungesa e njohjeve ndërkombëtare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryeministri Ramush Haradinaj udhëheq një Qeveri të madhe, në të cilën janë të angazhuar 21 ministra dhe rreth 80 zëvendësministra, por punët që i ka realizuar ky ekzekutiv përgjatë periudhës katërmbëdhjetëmujore po vlerësohen të vogla.
Partitë opozitare dhe analistët politikë i numërojnë disa dështime të koalicionit qeverisës, duke filluar me mospërmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian brenda vitit të kaluar, por as gjatë këtij viti, mungesa e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, si dhe rritjen enorme të shpenzimeve buxhetore.

LEXO EDHE: Nënkryetarja e AAK-së për opozitën: S'po mund të dalin nga rruga pa krye

Të vetmin sukses të qeverisë “Haradinaj” opozitarët e përmendin procedimin e tri projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndonëse edhe këtë e shohin si hap të vonuar. Në anën tjetër, deputetë të koalicionit qeverisës thonë se brenda kësaj periudhe të shkurtër kjo Qeveri ka kryer punë të mëdha.

Hoti: Haradinajn s’e pyet askush

Shefi i deputetëve të partisë më të madhe parlamentare në Kosovë (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” që kryeministri Haradinaj nuk ka aspak rol në marrjen e vendimeve për Kosovën. Sipas tij, është presidenti Hashim Thaçi që po imponohet si faktor politik për shkak që, siç thotë ai, Haradinaj vjen nga një parti e vogël parlamentare.

“Kryeministri vjen nga partia e pestë në Kuvendin e Kosovës dhe rrjedhimisht askush nuk e pyet për asgjë. Presidenti i vendit ka marrë përsipër të realizojë agjendën e Serbisë për ndarje të Kosovës. Kryetari i Kuvendit është i parëndësishëm në këto zhvillime dhe është mes zjarreve që të jetë i kujdesshëm karshi shefit të tij, në të njëjtën kohë të marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës që janë kundër angazhimit të presidentit”, ka thënë Hoti.
Ndërsa duke folur për dështimet e qeverisë “Haradinaj” Hoti e ka përmendur mossigurimin e njohjeve ndërkombëtare, si dhe mosliberalizimin e vizave me BE-në. 
“Njohje të reja të shtetit të Kosovës nuk ka dhe nuk pritet të ketë. Vizat vështirë se liberalizohen, pasi kemi humbur shansin në vitin 2016 për shkak të sjelljes së këtij kryeministri. Kosova ka Qeverinë më të dobët dhe më të dëmshme që ka mundur të mendojë dikush”, ka potencuar Hoti.

Beqa: Kosova i ka përmbushur kushtet, padrejtësi po bën BE-ja
Me deklaratat e Hotit nuk pajtohet deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, partia e të cilit ka hise të madhe në qeverinë “Haradinaj”.

Beqa thotë se në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, të cilin e udhëheq ai, janë sjellë një numër i madh i projektligjeve nga ana e Qeverisë.

“Në Komisionin për Legjislacion ka një numër të madh të ligjeve që kanë ardhur, një pjesë e tyre kanë kaluar në dy lexime, ndërsa disa ligje janë në fazën përfundimtare, ku grupet punuese e kanë kryer punën e vet. Një pjesë janë votuar në lexim të parë dhe disa kanë kaluar në procedim për seancë. Konsideroj që Qeveria është duke i realizuar premtimet e veta që i ka pasur”, ka theksuar ai.
Ndërsa duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Beqa ka thënë që përderisa Kosova ka përmbushur detyrat e dhëna nga BE-ja do të ishte padrejtësi e madhe nëse nuk do t’i jepeshin vizat këtë vit. “Sa u përket vizave, mendoj që kemi përmbushur objektivat, por kanë qenë disa kushte të parregullta në raport me kushtet që i kanë pasur vendet në rajon, është një padrejtësi e radhës që po u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Beqaj: Nuk më zhgënjen Qeveria, por opozita
Kurse njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, vlerëson se kjo qeveri me numër të madh të ministrive i ka sjellë vendit dëme të mëdha.

“Qeveria e madhe ka bërë punë të vogla, në mesin e të cilave ka edhe mjaft të dëmshme. Mua nuk më zhgënjen Qeveria, më zhgënjen opozita dhe shoqëria civile, e cila nuk po di se si politikisht ta dërgojë këtë qeveri kleptokratike në shtëpi. Kjo është më shqetësuese se Qeveria, ngase po dëshmojmë se nuk dimë dhe nuk dëshirojmë të krijojmë alternativë të shëndoshë në shoqëri. Sa na zhgënjejnë pushtetarët, edhe më shumë na zhgënjen mungesa e shpresës se në Kosovë ka forca të shëndetshme alternative”, ka theksuar ai.

GAP: Me zvogëlimin e Qeverisë do të kurseheshin 13 milionë euro

Lidhur me numrin e madh të dikastereve qeveritare, të zëvendësministrave, si dhe të këshilltarëve instituti GAP në raportin e publikuar: “Buxheti 2018 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”, i cili analizon rekomandimet e Komisionit Evropian për Kosovën karshi ndarjeve buxhetore për vitin 2018, ka gjetur se nëse do të zvogëlohej numri i ministrive prej 21 në 13 do të uleshin edhe shpenzimet për 3.2 milionë euro në vit.
Institutit GAP vlerëson se për të funksionuar në mënyrë optimale Qeveria e Kosovës duhet të shmangë problemin e shpërndarjes së kompetencave nëpër ministri të ndryshme, përkatësisht ta ulë numrin e ministrive nga 21 në 13.

“Sipas përllogaritjeve tona, nga kjo ulje e numrit të ministrive vetëm nga shpenzimet e pagave, të telefonisë mobile dhe të drekave buxhetit të Kosovës do t’i kurseheshin rreth 3.2 milionë euro në vit, ose 12.9 milionë euro për një mandat qeverisës prej katër vjetësh”, thuhet në raportin e GAP-it. /ZERI