"Ushtrinë s’e bën emri por misioni"

Aktuale October 23, 2018 - 22:10
Lexo lajmet e fundit nga vendi!


Ish gjenerali i FSK-së, Kadri Kastrati, është shprehur i kënaqur me miratimin e tre projektligjeve për transformimin e FSK-së si dhe u shpreh optimist për kalimin e tyre në leximin e dytë.

Ai në Zona B tha se përmes këtyre ligjeve FSK-ja do të shndërrohet në forcë ushtarake me kapacitete të mjaftueshme për ta kryer misionin për mandatin që do t’i jepet.

“Misioni që do ta këtë kjo forcë është mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit, mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale – këtu nënkuptohet ruajtja e jetës dhe pronës së qytetarëve të Kosovës – dhe pjesëmarrja në operacione ushtarake në kuadër të NATO-s dhe OKB-së. Këto detyra e bëjnë FSK-në me mandat dhe bazuar në këto detyra kjo forcë do të pajiset edhe me pajisje dhe armatim për të realizuar këtë mision”.

Sa i përket emërtimit të ushtrisë, Kastrati tha se ka plot ushtri nëpër botë që nuk quhen ‘ushtri’ por ‘forca’.

“Unë mendoj se emri nuk e bën ushtrinë. Ushtri e bën misioni, e bëjnë pajisjet dhe armatimet dhe të gjitha mjetet e nevojshme që e përmbushin misionin”.

Ish gjenerali i FSK-së gjithashtu ka folur edhe për mundësine e rishqyrtimit të mandatit të NATO-s në Kosovë.

“Keni parë deklaratat e sekretarit të NATO-s, ku këshilli më i lartë i NATO-s, Keshilli Veriatlantik, do të ulet dhe do ta rishikojë mandatin e vet”.

“Ne nuk do ta kemi ushtrinë të nesërmen. Kosovës i duhen minimum shtatë vjet që të përfundojë kapacitetet e veta operacionale. Duke i ngritur kapacitetet operacionale ashtu edhe NATO do të largohet nga Kosova”.