Në rast të dështimit në INTERPOL përgjegjësia bie mbi institucionet

Aktuale October 23, 2018 - 16:49
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kosova po synon që këtë vit të bëhet përfundimisht pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. Më 20 nëntor në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të votohet mbi kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Pavarësisht se vitin e kaluar Kosova e kishte tërhequr kërkesën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate (nën pretekstin se nuk ishin votat e mjaftueshme), këtë vit përfaqësuesit institucionalë po shprehen të vendosur se nëntori do të sjellë lajm të mirë për Republikën e Kosovës, shkruan "Zëri".

Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka konsideruar se në krahasim me vitet e kaluara këtë herë procesi në fjalë është udhëhequr më mirë dhe më me seriozitet nga institucionet e Kosovës.

“Kjo për shkak se është kuptuar rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL për bashkëpunim ndërkombëtar policor ndërmjet Kosovës me INTERPOL-in dhe me shtetet anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare”, ka thënë ai për "Zërin".

Andaj, sipas Avdiut, gjasat për anëtarësim në INTERPOL janë shumë më pozitive dhe më të mira këtë herë sesa në vitet e kaluara.

Kjo pasi, siç ai është shprehur, institucionet shtetërore kanë mësuar nga gabimet e mëparshme dhe është vënë si prioritet anëtarësimi në INTERPOL.

“Për më tepër që sukseset e Kosovës në luftën kundër krimeve trans-nacionale, duke përfshirë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, migrimit etj., të shërbejnë si argumente të fuqishme profesionale për anëtarësim dhe për nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor të Policisë së Kosovës me INTERPOL-in”, ka nënvizuar ai.

E në rast se çështja e INTERPOL-it nuk finalizohet në nëntor, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare Afrim Hotit, përgjegjësia bie kryekëput mbi institucionet e vendit.

“Mendoj që është një shans i mirë për ta marrë statusin e anëtarit të INTERPOL-it. Kemi pasur kohë të mjaftueshme; unë dua të besoj që kemi bërë punë, kemi kryer obligime. Nëse eventualisht nuk mund ta marrim statusin, atëherë sigurisht dihet që përgjegjësia bie mbi institucionet tona që e kanë neglizhuar, kanë qenë të pakujdesshme”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kosova ka kohë që të lobojë dhe t’i bindë shtetet anëtare deri në momentin kur bëhet votimi. /ZERI