Inspektorati i Policisë nuk flet për rastin e djalit të Shpend Maxhunit

Aktuale October 23, 2018 - 16:54

Rinor Maxhuni shkoi në polici dhe e pranoi se arma e gjetur në veturën e kushëririt të tij, Shpëtimit, djalit të Shpend Maxhunit, është e tij. Por, të kujt janë shenjat e gishtërinjve në armë? Kush ishin zyrtarët policorë që ndaluan veturën që e ngiste Shpëtim Maxhuni të shtunën? Gazeta Express u ka kërkuar përgjigje Inspektoratit Policor dhe Policisë së Kosovës lidhur me këto pyetje, mirëpo asnjëri nga ta nuk dhanë përgjigje

Më 12 tetor, djali i Shpend Maxhunit, shefit të AKI-së, Shpëtim Maxhuni, u kap me armë pa leje, me thikë dhe me substanca narkotike.

Pas publikimit të rastit në media, duket se Maxhunët menduan se si të dalin nga kjo situatë. Për këtë, atyre u doli në ndihmë kushëriri Rinor Maxhuni, i cili është paraqitur në Policinë e Kosovës ku ka pranuar se arma e gjetur në veturën që vozitej nga kushëriri i tij, Shpëtimi, ishte e tij, dhe se e ka harruar aty.

Ai tha se edhe xhaketa që kishte veshur Shpëtimi ishte e tij.

Fillimisht, pra Policia e Kosovës e kishte fshehur rastin duke mos e ndalë 72 orë në paraburgim djalin e ish-drejtuesit të policisë, siç parashihet me procedura.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, se a janë marrë shenjat e gishtërinjve te arma e gjetur, e tipit “Zastava”. Por, krejt ajo çka deklaruan policia ishte që t’i referohemi një komunikate të lëshuar prej tyre ditë më parë.

“Lidhur me rastin në fjalë ju lutemi t’i referoheni komunikatës zyrtare të lëshuar nga PK-ja, në të cilën jepen detaje për veprimet policore, deri te ngritja e kallëzimit penal dhe adresimit te organet e drejtësisë”, thotë PK.

E në komunikatën e Policisë, të lëshuar më 20 tetor, pasqyrohet deklarata e Rinor Maxhuni se arma e gjetur në xhaketën që e kishte veshur Shpëtimi, ishte e tij. Dhe me kaq, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Pra, në këtë mënyrë Policia e ka shkarkuar nga përgjegjësia djalin e shefit të AKI-së duke e ngarkuar kushëririn e tij Rinorin.

“Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari (R. M), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”, ka thënë Policia.

Gjithashtu, as substanca narkotike e gjetur në veturë, sipas policisë, nuk rezulton të jetë e djalit të Shpend Maxhunit.

“Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime... personi i dyshuar (A. K.), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij”, ka deklaruar Policia e Kosovës.

Gazeta ka kërkuar nga Inspektorati policor i Kosovës të dijë nëse janë intervistuar zyrtarët policorë që kishin ndaluar veturën e tipit “Golf IV” në fshatin Zllatar më 12 tetor. Por, IPK ende nuk është deklaruar për këtë çështje.

E shefi i Policisë, Rashit Qalaj, po ashtu është pozicionuar për ta mbrojtur djalin e Shpend Maxhunit.

Ai ka thënë se është obligim të ndiqet personi që i zihet arma pa leje, pa marrë parasysh pronësinë.

Ky rast e ka mobilizuar edhe Kuvendin e Kosovës dhe deputetët.

Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Inteligjente të Kosovës, shef i së cilës është Shpend Maxhuni, kanë kërkuar nga Policia që të japin raport të plotë në komision për rastin e djalit të shefit të AKI-së.

Për shkak të këtij skandali, ka pasur kërkesa që Shpend Maxhuni të japë dorëheqje ose të shkarkohet nga detyra.