Thaçi i tha Bahtirit se i ka ngatërruar Shakiren me sharki, kështu i përgjigjet ai

Aktuale October 22, 2018 - 18:34
Lexo tjera detaje

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri i është kundërpërgjigjur presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ky i fundit duke folur për koncertin që do të mbahet në Mitrovicë me rastin e hapjes së Urës së Ibrit, tha që Bahtiri mund t’i ketë përzier këngëtaren Shakira me instrumentet popullore sharki.

Bahtiri në Klan Kosova, tha që ai nuk i ka ndërruar aspak, dhe që Thaçi është ai i cili i ka bërë Kosovën në këtë situatë ku është sot.

“Hashim Thaçi po merret me mua kohëve të fundit, por ai duhet ta di se sharkit i ka përzi vetë ai, dhe e ka pru situatën qysh është sot. Dihet kush e ka nda Mitrovicën. Dihet se çka iu ka premtuar Hashim Thaçi mitrovicasve në veri dhe ai atje ka shkaktuar telashe jashtëzakonisht të mëdha”, tha Bahtiri.

Kryetari Bahtiri në fund tha se nuk do ta lejon asnjëherë Thaçin që ta ndajë Kosovën, ai i bëri thirrje presidentit që të iu ndihmojë qytetarëve.

Bahtiri ka folur edhe për kërcënimin që ka marrë gjatë ditës së sotme, ai theksoi se asnjë kërcënim nuk e frikëson. Dhe që Ura e Ibrit do të hapet pavarësisht çdo sakrifice.GazetaBlic