Mandatin e kaluar emëroheshin ambasadorë të PDK-së e të LDK-së, tani po emërohen të AAK-së

Aktuale October 22, 2018 - 10:43
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Pavarësisht se Ligji për Shërbimin e Jashtëm kërkon që së paku 50% e ambasadorëve të jenë të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm, ose siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës, aktualisht vetëm rreth 30% janë të tillë, ndërsa rreth 70% janë politikë. Përveç kësaj, katër ambasada të Kosovës janë pa ambasadorë, ashtu siç është pa shef edhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd. Opozita dhe shoqëria civile vlerësojnë se Qeveria aktuale është duke e degraduar diplomacinë kosovare, shkruan 'Zëri". 

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Zafir Berisha, ka thënë se tashmë është tepruar me emërime të ambasadorëve politikë.

Ai madje ka thënë se në mandatin e kaluar janë emëruar ambasadorë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa këtë mandat sipas tij po emërohen ambasadorë personat e afër me partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Është tepruar me këto emërime, është tejkaluar kuota për emërimet e ambasadorëve politikë. Edhe në legjislaturën e kaluar, por edhe tani shumica e ambasadorëve që emërohen janë politikë. Në mandatin e kaluar pesë ose gjashtë ambasadorë kanë qenë të afërt me PDK-në dhe me LDK-në, ndërsa tani janë kryesisht nga AAK-ja”, ka thënë Berisha për 'Zërin".                                                                                         

Sipas Berishës, duhet të ndryshohet Ligji për Shërbimin e Jashtëm. Megjithatë, ai thotë se edhe nëse emërohen ambasadorë politikë të paktën të përzgjidhen personat e duhur.

“Vështirë se do të rregullohet kjo çështje gjatë këtij mandati. Mendoj që edhe nëse vijnë me ambasadorë me prapavijë politike, e rëndësishme është që të vijnë njerëz dinjitozë. Në dy mandatet si anëtar i Komisionit më ka rënë të vizitojë disa shtete ku kemi ambasadorë, disa prej tyre janë shumë dinjitoz, por ka edhe të atillë që duhet të turpërohemi se kush na përfaqëson”, ka përfunduar Berisha. /ZERI