Degradimi i diplomacisë

Aktuale October 22, 2018 - 07:52
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Pavarësisht se Ligji për Shërbimin e Jashtëm kërkon që së paku 50% e ambasadorëve të jenë të emëruar nga detyra në Shërbimin e Jashtëm, ose siç njihen ndryshe ambasadorë të karrierës, aktualisht vetëm rreth 30% janë të tillë, ndërsa rreth 70% janë politikë. Përveç kësaj, katër ambasada të Kosovës janë pa ambasadorë, ashtu siç është pa shef edhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd. Opozita dhe shoqëria civile vlerësojnë se Qeveria aktuale është duke e degraduar diplomacinë kosovare, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Qeveria “Haradinaj” është duke e shkelur Ligjin për Shërbimin e Jashtëm pasi po vazhdon me emërimin e ambasadorëve politikë, duke tejkaluar kufizimin që së paku 50% e tyre të jenë ambasadorë të karrierës. Madje tashmë mbi dy të tretat e ambasadorëve të Kosovës janë politikë.

Gjithashtu tash e një kohë pa ambasadorë shteti ynë ka mbetur në Mbretërinë e Bashkuar, në Suedi, në Australi, në Shqipëri, si dhe pa përfaqësues në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd.

LEXO EDHE: Dialogu i bllokuar, tre muaj nga takimi i fundit

Për më tepër, në Komisionin për Punë të Jashtme thonë se Ambasada në Australi përveçqë është pa ambasador, është edhe pa pjesën tjetër të stafit diplomatik, megjithëse një gjë e tillë mohohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se aktualisht Kosova është pa ambasadorë në Mbretërinë e Bashkuar, në Suedi, në Australi dhe në Shqipëri, siç nuk ka të dërguar as në Beograd

. Ndërsa ka mohuar deklaratën e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme Vjosa Osmanit se në Australi përveç mungesës së ambasadorit mungon edhe pjesa tjetër e stafit diplomatik.

“Ambasada në Australi natyrisht se nuk ka mbetur pa staf diplomatik, por vetëm pa ambasador, pasi që i njëjti ka përfunduar mandatin e tij dhe sipas ligjit dhe rregullave në fuqi atij i është dashur të kthehet në Ministri. Për momentin Ambasada në Australi drejtohet nga i ngarkuari me punë, Mehmet Morina dhe diplomatë të tjerë që kanë qenë aty. Ambasadori i ri besoj se do të emërohet shumë shpejt”, ka deklaruar Vuniqi.

Osmani: Të gjithë ambasadorët e emëruar në këtë mandat janë politikë

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë për gazetën “Zëri” se të gjithë ambasadorët e emëruar në këtë mandat janë politikë.

“Fatkeqësisht deri tani Ministria e Punëve të Jashtme ka shkelur Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, që kërkon që në maksimum 50% e ambasadorëve të jenë emërime politike. Por deri tani mbi dy të tretat e ambasadorëve janë politikë, deri tani të gjitha emërimet në këtë mandat, që kanë ardhur në këtë komision, kanë qenë politike”, është shprehur ajo.                                            

Ajo më tej ka thënë se emërimi i ambasadorëve politikë po e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ne si opozitë nuk kemi pranuar të bëhemi pjesë e mbledhjeve ku shkelet ligji, vetëm se Ministria ka vendosur që ta shkelë ligjin. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta ndërpresë këtë praktikë të kundërligjshme, por mbi të gjitha të dëmshme, sepse politizimi i skajshëm i diplomacisë që deri tani ka ndodhur mund të jetë benefit individual për personat e caktuar që i shpërblejnë militantët politikë, por është jashtëzakonisht i dëmshëm për imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht”, ka deklaruar Osmani.                                                                                                                               

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kur të vijë në pushtet një qeveri e përgjegjshme do t’i shqyrtojë emërimet e këtyre ambasadorëve.

“Jam e bindur se kurdo që vjen një qeveri e përgjegjshme në krye të vendit do t’i trajtojë me kujdes këto shkelje, sepse në njërën anë politika e jashtme dhe në anën tjetër politika e sigurisë, si dy shtyllat themelore të shtetit, duhet të jenë jopolitike dhe duhet të përfshijnë në institucionet e veta njerëz profesionistë, të cilët nuk u përgjigjen partive, por punojnë për shtetin”, ka përfunduar Osmani.

Mandatin e kaluar emëroheshin ambasadorë të PDK-së e të LDK-së, tani po emërohen të AAK-së

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Zafir Berisha, ka thënë se tashmë është tepruar me emërime të ambasadorëve politikë. Ai madje ka thënë se në mandatin e kaluar janë emëruar ambasadorë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa këtë mandat sipas tij po emërohen ambasadorë personat e afër me partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Është tepruar me këto emërime, është tejkaluar kuota për emërimet e ambasadorëve politikë. Edhe në legjislaturën e kaluar, por edhe tani shumica e ambasadorëve që emërohen janë politikë. Në mandatin e kaluar pesë ose gjashtë ambasadorë kanë qenë të afërt me PDK-në dhe me LDK-në, ndërsa tani janë kryesisht nga AAK-ja”, ka theksuar Berisha.                                                                                         

 Sipas Berishës, duhet të ndryshohet Ligji për Shërbimin e Jashtëm. Megjithatë, ai thotë se edhe nëse emërohen ambasadorë politikë të paktën të përzgjidhen personat e duhur.

“Vështirë se do të rregullohet kjo çështje gjatë këtij mandati. Mendoj që edhe nëse vijnë me ambasadorë me prapavijë politike, e rëndësishme është që të vijnë njerëz dinjitozë. Në dy mandatet si anëtar i Komisionit më ka rënë të vizitojë disa shtete ku kemi ambasadorë, disa prej tyre janë shumë dinjitoz, por ka edhe të atillë që duhet të turpërohemi se kush na përfaqëson”, ka përfunduar Berisha.

Murati: Po dëmtohet imazhi i Kosovës

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se tanimë është bërë trend që ambasadorë të emërohen njerëz të afërt me partitë politike.  Për më tepër, sipas tij, një numër i caktuar i ambasadorëve të emëruar kanë probleme me integritetin e tyre profesional brenda vendit, prandaj vlerëson se mund të degradohet edhe më tutje diplomacia kosovare.

“Tashmë Ligji për Shërbimin e Jashtëm është duke u shkelur pasi është tejkaluar kuota që është paraparë për ambasadorët politikë. Një numër i madh i diplomatëve kanë probleme me integritetin e tyre profesional për faktin e performancës së dobët të tyre, edhe sa kanë qenë brenda vendit dhe nëse shkohet me diplomatë të karrierës këto rreziqe do të mundë të tejkaloheshin, pra do të kishim një përfaqësim më të dinjitetshëm”, ka vlerësuar Murati.                                                                                            

Sipas tij, do të duhej të kishte filtra më rigorozë se kush mund të jetë ambasador, pasi Murati thotë se nuk mund të lejohet që çdokush ta përfaqësojë vendin. “Dihet se kemi pasur edhe skandale të shkaktuara nga ambasadorët e Kosovës dhe kjo natyrisht se ndikon edhe në reputacionin e vendit dhe në raportet me shtetet ku i kemi këta ambasadorë”, ka shtuar Murati.                                                                                                                       

Ndërsa duke folur për mungesën e ambasadorëve dhe të stafit tjetër diplomatik në disa vende, Murati ka thënë se kjo është në mospërputhje me idealin e Kosovës para shpalljes së Pavarësisë.

“Nëse nuk kemi ambasadorë ose staf diplomatik, atëherë do të jetë pothuajse e pamundur që të vazhdohet funksionimi i Ambasadës dhe kjo bie në kundërshtim edhe me atë idealin që e kemi pasur kur kemi shpallur Pavarësinë, sepse kemi synuar që përmes misioneve diplomatike të forcojmë marrëdhëniet diplomatike me shtetet e tjera, ndërsa tani po e rrezikojmë edhe vetë prezencën e këtyre ambasadave për shkak të keqmenaxhimit të brendshëm”, ka përfunduar ai.