Hoxhaj: Shekulli 21 do të jetë shekulli i shqiptarëve në Ballkan

Aktuale October 21, 2018 - 22:35
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në Kongresin e Tretë të Lidhjes Shqiptare në Botë, event ky i cili u mbajt në Shkup të Maqedonisë.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve Hoxhaj tha se në dy dekadat e funksionimit të saj, Lidhja Shqiptare në botë është angazhuar vazhdimisht për shqiptarët; evropianizimin e Shqipërisë dhe anëtarësimin në NATO; ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe pavarësinë e saj; si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nëpër shtetet ku jetojnë.

“Shekulli 21 do të jetë shekulli i shqiptarëve në Ballkan nëse bashkë tregojmë kapacitet politik, ekonomik dhe shoqëror në përmbushjen e kësaj aspirate”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se duhet shpejtësi e re në rrugën eurointegruese duke i bërë shqiptarët pjesë të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera euro-atlantike. Shtoi se shqiptarët sot kanë më shumë stabilitet, më shumë të drejta politike, janë më të fortë ekonomikisht dhe më të modernizuar si shoqëri.