Kurti: Thaçi, ambasador i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën

Aktuale October 21, 2018 - 18:07
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është duke dhënë premtime në emër të krerëve të shteteve që nuk e kane njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga premtimet brenda vendit si kryeministër, Thaçi ka kaluar te premtimet nga jashtë vendit si president. Dikur si kryeministër premtonte prej 200 mijë vendeve të punës në Kosovë e deri te formimi i komunave Kodra e Trimave, Has, Kievë, Hogosht e Zhegër. Sot si president premton bashkëngjitje të Luginës dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, NATO e BE”, ka thënë Kurti.

“Presidenti Thaçi po premton në emër të Presidentit Vuçiq se do të na bashkangjiten Presheva, Medvegja e Bujanoci; në emër të Presidentëve Putin dhe Xi se Kosova do të marrë ulëse në OKB; dhe, në emër të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë e Qipros se do të anëtarësohemi në NATO e BE”.

Kurti ka thënë se Thaçi është vetëshpallur ambasador i shteteve mosnjohëse.

“Ky nuk është President i Kosovës por ambasador i vetëshpallur i këtyre instancave në emër të të cilave premton. Pra, Presidenti i Kosovës jo vetëm që nuk është President, por nuk është as i Kosovës. A thua e bën falas këtë punë ambasadori i vetëshpallur për shtetet që s’na kanë njohur? Nuk e di sa kush tjetër e paguan, por populli i Kosovës shumë shtrenjtë”.

“Thaçi s’e ka për shtet tonin që u garanton liri qytetarëve, por për pushtet të vetin e që është e vetmja garanci e lirisë për të”.