Vetëvendosje po përgatit Projektligjin për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë

Aktuale October 21, 2018 - 08:33
Lexo tjera detaje

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është në përgatitje të Projektligjit, i cili do t’i dokumentonte krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë se është fatkeqësi dhe gabim i madh që asnjëherë nuk ka pasur të dhëna zyrtare sa u përket krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.

“Nuk e kuptoj se si kanë mundur këta njerëz që kanë drejtuar institucionet në Kosovë të mos e ndërmarrin asnjëherë këtë veprim. Ka shumë vende ku krimet i kanë të dokumentuara edhe në faqet e tyre zyrtare. Për neve është  e papranueshme që nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu, për Ekonomia Online.

Haxhiu theksoi se ka pasur shumë organizata të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare që kanë dhënë informacione për krimet, masakrat dhe dëmet e tjera të Serbisë në Kosovë.

“Prandaj, kemi konsideruar që të kemi një projektligj të tillë, jemi në fazat fillestare, por po ashtu kjo vjen edhe pas mbylljes së institutit për krime të luftës që ekziston në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ky institut nuk ekziston dhe pa asnjë shpjegim është mbyllur”, ka shtuar ajo.

Haxhiu vlerëson se në këtë drejtim do të duhej që të ekzistojë një ligj edhe për një institut të ri që do ta fuqizonte atë, por edhe për muzeun e krimeve të luftës.

“Të gjitha këto jemi duke i diskutuar në strukturat e Vetëvendosjes për shkak se ne duhet të ndërmarrim veprime për ta dokumentuar atë që Serbia e ka bërë në Kosovë”, tha ajo.