Haradinaj reagon për përfshirjen e djalit të Shefit të AKI-së në armë e drogë

Aktuale October 20, 2018 - 15:58
Lajmet e fundit nga vendi

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk po ngutet të thotë diçka më shumë për përfshirjen e djalit të Shefit të AKI-së në armëmbajtja pa leje e drogë. Ka thënë se rasti duhet të hetohet pa ndikim.

“Nuk isha ngut me thanë diçka, le ta hetojnë”, ka thënë Haradinaj, në një ceremoni në Obiliq.

Ai ka thënë se beson se ka njerëz me integritet në sistemin e drejtësisë për të trajtuar rastin e djalit të Shpend Maxhunit.

Sipas detyrës zyrtare, Shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni është edhe Këshilltar i Kryeministrit dhe Presidentit.

Shpetim Maxhuni, 20 vjeçar, ishte zënë me armë e drogë para një jave  përkatësisht më 13 tetor. Tek të premten, më 18 tetor, është dorëzuar Kallëzimi Penal në Prokurori. Prokuroria dhe Policia ka nisur hetime por kanë dhënë deklarata kontradiktore lidhur me rastin.

Reagimi i Kryeminsitrit ka ardhur pas publikimit të përfshirjes së djalit të Shpend Maxhunit në armëmbajtje pa leje e droge.

Kujtojmë, se përveç revolës së llojit, “Zastava” tek djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në Kosovë është gjetur edhe një karikator me fishekë dhe një thikë.

“Me datën 12.10.2018 rreth orës 21:05, njësia policore gjatë patrullimit në fshatin Zllatar, kanë hasur në një veturë Golf IV, me targa 01-8840-IG, ngjyrë e zezë. Gjatë kontrollimit, te personave që ishin në veturë, tek i dyshuari Shpetim Maxhuni dtl. 05.08.1998 kanë gjetur një revole të llojit “Zastava” me nr serik ET-971053, me një karikator dhe katër fishekë cal. 6.35 mm si dhe një thikë POHL-FORCE“, .

Bëhet e ditur se rasti është iniciuar si i tillë me udhëzim të prokurorisë kujdestare në procedurë të rregullt.

Edhe zv.kryeprokurori e Prishtinës, Ibrahim Berishën, e ka konfirmuar se dje pasdite është dorëzuar në prokurori një kallzim penal lidhur me këtë çështje, mirëpo ai tha se nuk e di se për kë saktësisht bëhet fjalë.

Berisha, gjithashtu bëri të ditur se Prokuroria tashmë është duke e hetuar këtë rast.Që nga pas lufta Shpend Maxhuni është në hierarkinë e institucioneve të sigurisë. Fillimisht ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e tash Shef i Agjencisë Inteligjente të Kosovës.