Klinika me 35 mijë pacientë ka vetëm 27 shtretër

Aktuale October 20, 2018 - 08:17
Lexo tjera detaje
Image

Mbi 35 mijë qytetarë vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti kanë kërkuar trajtim shëndetësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ndonëse kjo nuk i ka as 30 shtretër për pacientë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Drejtori i kësaj Klinike, Basri Lenjani, ka thënë për gazetën “Zëri” se nga janari në shtator të këtij viti në këtë klinikë janë paraqitur 36 mijë e 55 raste, të cilat kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore.

Ndonëse numri i pacientëve të cilët kërkojnë trajtim në këtë klinikë është i madh, sipas Lenjanit, në këtë klinikë aktualisht janë 27 shtretër. “Ne i kemi 22 shtretër dhe pesë shtretër i kemi për pjesën pediatrike, kur bëhet fjalë për ndonjë rast të rëndë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një numër i madh i pacientëve që referohen në këtë klinikë janë raste joemergjente, të cilat po e mbipopullojnë Emergjencën. “Regjioni me më shumë pacientë të referuar është Prishtina me 13 mijë e 460, pasi nuk ka spital të qytetit. Nga komunat më të vogla prin Podujeva me 3635 pacientë. Gjilani me rrethinë ka dërguar 747 raste. Regjioni i Ferizajt, i cili ka spitalin e përgjithshëm që i ka të gjitha kapacitetet, ka numër më të madh të referimeve 4,744 raste. 70% e referimeve janë nga niveli parësor dhe 30% të nivelit dytësor”, ka thënë ai.

Ismaili: Shpejt do të vijnë qindra shtretër

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se së shpejti QKUK-ja do të pajiset me qindra shtretër. Sipas tij, shtretërit do të jenë të pajisur me dyshekë më të mirë. “Disa nga këta shtretër në QKUK janë nga viti 1983. Fatkeqësisht për vite me radhë qytetarët tanë janë ballafaquar me këso lloj kushtesh nëpër disa klinika. Por ashtu siç po u vjen fundi shumë parregullsive tjera edhe gjendjen me shtretër do ta rregullojmë. Shpejt do të vijë edhe kontingjenti i parë me qindra shtretër të pajisur me dyshekë të denjë, për qëndrim të qytetarëve tanë. E dimë që kemi ende sfida, por një nga një do t’i trajtojmë për një sistem shëndetësor cilësor me qendër qytetarin”, ka shkruar ai ditë më parë në rrjetin e tij social “Facebook”.

Baftiu: Duhet të rritet numri i shtretërve në Emergjencë

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se në Klinikën Emergjente do të duhej të kishte më shumë shtretër. Sipas saj, kjo çështje është shqetësuese për të gjithë anëtarët e këtij Komisioni. “Me sa e di unë Klinika Emergjente është rinovuar dhe kushtet janë më të mira sesa kanë qenë, mirëpo numri i shtretërve është i vogël dhe i pamjaftueshëm. Derisa është një projekt për Klinikën Emergjente të re po besoj që kjo është shqetësim jo vetëm për mua, por për të gjithë anëtarët tjerë të Komisionit, për arsye se në Klinikën Emergjente vijnë rastet më emergjente dhe do të duhej që të kishte hapësirë dhe të kishte shtretër sepse aty nuk i dihet se në çfarë momenti vijnë pacientët”, ka thënë ajo.

Baftiu ka theksuar se edhe pse ka disa hapa pozitivë në këtë klinikë, ende duhet të ketë përmirësime. “Megjithatë ka një lëvizje pozitive, për arsye se aty ka qenë tmerr para renovimit, tani ka përmirësim sa i përket infrastrukturës, është rregulluar diçka, por nuk është rregulluar kryesorja, pra rritja e numrit të shtretërve”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër kryetari i  Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë për gazetën “Zëri” se duhet të kërkohet që të zgjerohet kapaciteti në këtë klinikë, pasi aty nuk zë më shumë shtretër.

Sipas tij, ndonëse ka përmirësime në këtë klinikë, ajo ende nuk i përmbush nevojat e pacientëve. “Ka përmirësime të dukshme në këtë klinikë duke e krahasuar me më herët, por ende nuk përmbush nevojat e pacientëve. Ka raste të paparashikuara dhe nuk mund të bëhet planifikimi se sa raste mund të jenë gjatë gjithë këtij viti. Është klinikë e cila në asnjë mënyrë nuk mund të bëjë planifikimin për pacientët, nuk mund të parashikojë se sa pacientë do të jenë dhe për këtë arsye duhet të caktohet trajtimi paraprak se paku të ketë një parashikim të përafërt”, ka thënë ai.