Bahtiri: Nëse Rakiq s’e hap urën, e hap Qeveria

Aktuale October 20, 2018 - 08:14
Lexo tjera detaje
Image

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se homologu i tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, po e mban peng hapjen e urës së Ibrit. Sipas tij, nëse Rakiq s’e hap urën, një gjë të tillë do ta bëjnë institucionet qendrore të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Të gjitha punët në revitalizimin e urës kryesore të Ibrit, një projekt i cili është mbështetur nga BE-ja me 1.4 milion euro, tashmë kanë përfunduar, ndërkohë ura mbi lumin Ibër mbetet edhe më tutje e mbyllur për qarkullim të automjeteve. Kanë përfunduar gjithashtu punët edhe në revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri të urës, e cila është shndërruar në zonë të këmbësore, një projekt i gjithi i Bashkimit Evropian për të cilin ka investuar 2.1 milionë euro. Për hapjen e urës kryesore të Ibrit për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, që është dashur të bëhej më së largu deri më 9 maj 2017 (datë e përcaktuar nga Mogherini), përveç krerëve të qytetit të Mitrovicës së Jugut nuk është interesuar asnjë nga institucionet e shtetit të Kosovës, ndërsa kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, këmbëngul që ura të mos hapet kurrë.
Ky vazhdon ta mbajë peng urën duke kushtëzuar hapjen e saj me nënshkrimin e një memorandumi për definimin e kufirit në mes të Komunës Jugore dhe asaj Veriore, me të cilin 4 fshatra shqiptare, të cilat me Pakon e Ahtisaarit i takojnë Mitrovicës së Jugut, do të kalojnë në administrim të Komunës Veriore.

Mujka: Moshapja e urës, dështim i BE-së

Nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, ka thënë se ura mbahet peng nga kryetarit i Mitrovicës së Veriut dhe se moshapja e saj është dështim edhe i BE-së. “Gjithkush ka të drejtë të krenohet me sukseset e tij, por gjithsesi edhe t’i bart pasojat e dështimeve të tij. Revitalizimi dhe hapja e urës së Ibrit është projekt i BE-së në krye me znj. Mogherini. Punët e parapara kanë përfunduar shumë moti dhe janë dhënë disa data për hapjen e saj, madje nga goja e znj. Mogherinit gjatë vizitës në Mitrovicë ka dalë data 9 maj 2017. Ky është pra dështim i misioneve të BE-së dhe shtrohet pyetja se pse ne do të duhej ta shpëtonim fytyrën e tyre duke organizuar protesta dhe trazira për hapjen e urës edhe për qarkullimin e veturave. Kanë përfunduar punimet, ka qarkullim të përditshëm të këmbësorëve dhe situata e sigurisë në qytet është shumë stabile, andaj nuk ka arsye të qëndrueshme dhe logjike për moshapjen e urës. Të vetmit që e parapëlqejnë këtë status quo janë serbët dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që temën e urës ta përdorin për pazare në rastin e ‘dialogut final”, të shkëmbimit të territoreve, korrigjimin e kufijve, rinegocimin e kufirit administrativ ndërkomunal ose implementimin e ‘Zajednicës’”, ka thënë Mujka, sipas të cilit ura e Ibrit pos efektit simbolik në aspektin funksional tani pasi rruga kryesore në veri është shndërruar në shëtitore nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. “Edhe ashtu nëse doni të qarkulloni me veturë ju duhet gjithsesi të shkoni deri në ‘Lagjen e Boshnjakëve’, andaj duhet t’ua bëjmë të qartë të dyja palëve, që është pazar tepër i dëmshëm dhe i shtrenjtë për neve. Apeloj te qytetarët tanë të mos marrin hapa të ngutshëm, por të bëjmë presionin e shtuar te faktori ndërkombëtar duku ia rikujtuar se është dështim i tyre, ndërsa ne si organe komunale po ashtu do të tentojmë të bëjmë presionin e duhur brenda kompetencave tona të kombinuara me organizime inovative, duke mos rrezikuar asnjë qytetar në të dyja anët e lumit. Mitrovica do të bëhet patjetër dhe do të jetë e të gjithëve”, ka deklaruar nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka.

Bahtiri: Ura do të hapet

Por i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, edhe më tutje këmbëngul se së shpejti ura do të hapet për qarkullim të automjeteve, madje në ceremoninë e hapjes së urës do të ketë edhe këngëtarë të huaj. “Ura do të hapet shumë shpejt dhe do të ketë jehonë të madhe, sepse në ceremoni do të marrin pjesë këngëtarë të huaj. Do të performojë Shakira, emrin e së cilës do ta mbajë ura. Është në interesin e saj që të vijë në Mitrovicë”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka shtuar se hapja e urës mbi lumin Ibër nuk duhet të ndërlidhet në asnjë mënyrë me procesin negociator. Bahtiri ka përkujtuar se në vitin 2014, në Bruksel, kanë filluar negociatat për hapjen e urës për lëvizje dhe për qarkullim të lirë të njerëzve dhe të automjeteve dhe gjatë bisedave janë mbështetur pothuajse të gjitha kërkesat e palës serbe që kishin të bëjnë me hapjen e urës, ndërkohë që Bashkësia Evropiane financoi një projekt për revitalizimin e urës, në mënyrë që më pas ajo të jetë e lirë për lëvizje dhe për qarkullim të njerëzve dhe të automjeteve, projekt ky që ka përfunduar në tërësi dhe ura tani është e gatshme për përurim.

“Por nëse do të vazhdojë akoma sjellja refuzuese e kryetarit Rakiq dhe mosreagimi i ndërkombëtarëve, atëherë organet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë dhe të kryejnë detyrën e tyre për hapjen e urës. Çështja e hapjes së urës nuk bën dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të ndërlidhet me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë mes tjerash kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agimi Bahtiri./ZËRI