Kuçi kritikon dialogun

Aktuale October 20, 2018 - 08:02
Lexo tjera detaje

Ish-zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kritikuar dialogun që po zhvillohet me Serbinë, duke thënë se ky dialog nuk ka emër e as qëllim, shkruan Gazeta "Zëri".

Gojart Jashari / Prishtinë

Iniciativa për “korrigjim të kufijve” është e rrezikshme, pasi marrëveshjet me Serbinë nuk janë asnjëherë të qëndrueshme dhe po ashtu formati politik i dialogut nuk është zgjidhja më e mirë. Kështu u tha dje në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me titull: “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosovë - Serbi dhe mësimet që lidershipi i Kosovës duhet t’i përsërisë”, në të cilën folën ish-presidenti Fatmir Sejdiu, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Ish-presidenti Sejdiu u shpreh i pasigurt lidhur me atë se çka mund të përfitojë Kosova nga një marrëveshje e mundshme me shtetin fqinj. Ai tha se çdo iniciativë, e cila nuk e respekton Kushtetutën nuk mund të ketë rezultat të mirë dhe se dialogu duhet të shërbejë vetëm për përmirësim të marrëdhënieve mes dy shteteve.

"Dialogu do të jetë i nevojshëm si relaks i marrëdhënieve për tema të shumta si: liria e lëvizjes, lufta kundër krimit të organizuar, komunikime tregtare e ekonomike. Asnjë iniciativë, e cila nuk e respekton Kushtetutën, nuk ka rezultat të mirë", tha Sejdiu.

Ai porositi të ketë kujdes në marrëveshjet me Serbinë, pasi qëllimi i shtetit fqinj është t’i mbajë temat e pambyllura dhe të vazhdojë me pretendimin se Kosova është faktor destabiliteti, ku nuk ka siguri për minoritetin serb. Sejdiu rrezikun e Kosovës nga Serbia e argumentoi me ngjarjet, të cilat kanë ndodhur nga e kaluara.

Krasniqi ndërkohë e konsideroi si gabim dialogun politik dhe porositi që të ndërpritet. Sipas tij, nuk është çështje e presidentit të bisedojë me Serbinë, por e Qeverisë.

"Kosova nuk është dashur t'i zhvillojë bisedimet politike. Rezoluta më herët është nxjerrë që të zhvillohen bisedimet teknike për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve, por jo politike. Këtu është gabimi më i madh i palës sonë, e cila pa një debat të brendshëm përmbajtjesor i fillon bisedimet. Presidenti nuk është personi adekuat për të zhvilluar bisedime. Kjo i takon Qeverisë", ka thënë Krasniqi.

Krasniqi po ashtu kritikoi mënyrën se si ka nisur dialogu dhe dha një rekomandim se si do të duhej të ecte e gjithë kjo çështje. “Pa krijimin e një konsensusi dhe pa hartimin e një dokumenti se çka do të diskutohet nuk duhej të fillonin bisedimet. Pa debat të brendshëm, konsensus nacional e vendim të Kuvendit askush s’ka të drejtë të bisedojë për korrigjim kufijsh. Është fyerje për inteligjencën", ka vazhduar ai.

Ai po ashtu bëri me dije që të kihet kujdes nga pala serbe, pasi në shumë raste marrëveshjet të cilat janë nënshkruar nga ana e tyre nuk janë zbatuar. “Nëse me marrëveshje mendohet që Serbia ta njohë Kosovën, si mund të jemi të sigurt për këtë gjë? Në shumë raste ka ndodhur që ata nuk i kanë zbatuar marrëveshjet e nënshkruara”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Hajredin Kuçi, nga PDK-ja, në këtë takim erdhi me një ide të re për dialogun. Ai kritikoi dialogun e deritashëm sepse nuk po ka emër e as qëllim. "Më 2005-n dialogu ka pasur emër e qëllim, më 2018-n s’ia di emrin. Atëbotë kemi shkuar për tema si pavarësia, sovraniteti e tërësia territoriale. Sot ka ndryshuar kahu i bisedimeve", ka thënë Kuçi. "I nevojshëm do të ishte një dialog për integrim, ku do të flitej për integrimin e popullsisë serbe në jetën publike", ka deklaruar ai.

Sipas tij, kur të dialogohet me Serbinë duhet të kihen parasysh disa tipare: Duhet të dihet se a do të jetë marrëveshja finale me Serbinë, a ka garanci të plotë ndërkombëtare, a po dihet saktësisht çka do të diskutohet dhe të mos bëhet asnjë marrëveshje që e prek strukturën shtetërore.

Kuçi në këtë takim kritikoi ndërkombëtarët dhe për këtë përmendi Rezolutën 1244 dhe faktin që pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërkohë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Përparim Kryeziu konsideroi se nëse arrihet marrëveshja e shumëpërfolur me Serbinë në premisën mbi shkëmbimin e territoreve, atëherë kjo nënkupton se nuk njihet shteti, pavarësia e të cilit ishte shpallur në vitin 2008 dhe do të kishte pasoja të riparueshme për mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, është pozitive fakti që në të Drejtën Ndërkombëtare Kosova njihet si shtet “Sui Generis” dhe duke e pasur parasysh këtë Kosova nuk duhet të shkëputet nga tiparet që ia kanë fituar shtetësinë./ZËRI