Amerika mbështet ushtrinë me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale

Aktuale October 20, 2018 - 07:55
Lexo tjera detaje
Image
Zyrtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë thënë dje “Zërit” se e mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale, shkruan sot Gazeta "zëri"
Superfuqia ushtarake në botë i ka dhënë mbështetje të fortë formimit të ushtrisë së Kosovës një ditë pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, pas një takimi dje me presidentin Aleksandar Vuçiq në Beograd ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin ushtrinë e Kosovës. “Për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur themelimin e ushtrisë së Kosovës. Është një proces i cili do të marrë kohë të gjatë dhe ne po punojmë me partnerët tanë në Prishtinë. Po punojmë për t’u siguruar që ky proces të shkojë siç duhet”, ka thënë Palmer në Beograd.
Deklaratën e tij e ka komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se një qëndrim i tillë i SHBA-së karshi Republikës së Kosovës nuk është diçka e re dhe nuk duhet habitur.
Edhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë i kanë deklaruar dje gazetës “Zëri” se mbështesin transformimin e FSK-së. "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së për “Zërin”.
Ata kanë shtuar se nxisin udhëheqësit politikë të Kosovës të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme, e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja.
 NATO: FSK-ja të zhvillohet nën mandatin aktual
Ndërsa zyrtarë nga NATO-ja në një përgjigje dhënë “Zërit” kanë deklaruar se ata e mbështesin transformimin e FSK-së nën mandatin e saj, por jo edhe nëse kjo gjë ndërron. “Pozicioni i NATO-s është i qartë: NATO-ja mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe një burim stabiliteti rajonal”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Tutje në përgjigjen e NATO-s thuhet se nëse i ndërrohet mandati FSK-së, atëherë do ta rishqyrtojnë edhe angazhimin e tyre në Kosovë.  “Nëse ky mandat evoluon, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhej ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Është e rëndësishme që çdo iniciativë në lidhje me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s. NATO-ja mbetet e angazhuar për sigurinë dhe për stabilitetin e Kosovës përmes KFOR-it, operacionit tonë më të gjatë”, thuhet në këtë përgjigje. 

Haradinaj: FSK-ja me mandat ushtarak

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur dje lidhur me reagimin e NATO-s pas votimit të tri projektligjeve të FSK-së, të cilat i hapin rrugë krijimit të ushtrisë së Kosovës.
Sipas tij, NATO-ja është një institucion serioz vendimmarrës dhe se Kosova ka komunikim të vazhdueshëm me ta. Sipas tij, FSK-ja pavarësisht se nuk do të quhet me emrin ushtri, do ta ketë mandatin ushtarak.

Ai ka ripërsëritur edhe një herë se ushtria e Kosovës nuk do të ketë kompetenca shtesë, por do t’i ndryshohet vetëm mandati. “Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me shumë vende anëtare të NATO-s, si me Amerikën, me Gjermaninë, me Anglinë dhe procesi i mandatimit të ushtrisë ka vetëm një mandat të ri dhe asgjë mangu nuk ka në mandat. FSK-ja është si ushtri e secilit vend. Është një mangësi që nuk ia kemi ndërruar emrin, por edhe në Gjermani nuk quhet ushtri, por Forca të Sigurisë”, ka thënë tutje ai.

Haradinaj po ashtu është shprehur i bindur që Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e NATO-s. Kurse sa i përket kohës se kur do të bëhet përfundimisht ushtria e Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se ajo do të kryhet në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, por që nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo.

Lista Serbe paralajmëron ankesë në Kushtetuese

Në anën tjetër Lista Serbe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi Parlamenti i Kosovës i ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). “Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, por nga përvoja e kaluar asgjë nuk do të ndryshojë”, deklaroi deputeti i Listës Serbe Igor Simiq për “Tanjug”-un.
 

Simiq ka theksuar se nevojitet kohë për t’u përmbyllur e gjithë procedura para se të jetë në gjendje të paraqesë ankesë.

Qehaja: Pas një muaji, ushtrinë me ligj

Njohësi i fushës së sigurisë, Ramadan Qehaja, kalimin e tri projektligjeve për ushtrinë në Kuvendin e Kosovës e sheh si hap shumë pozitiv. Sipas tij, transformimit të FSK-së në ushtri “dritën e gjelbër” ia ka dhënë Departamenti Amerikan i Shtetit.  “Ne kemi bërë çmos që kjo çështje të rregullohet me ndryshime kushtetuese, mirëpo kjo gjë nuk ka qenë e mundur assesi. NATO-ja këtë gjë e di, mirëpo për të na kuptuar neve më së miri ka qenë Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili dha dritën e gjelbër që kjo çështje të ecë para”, ka thënë Qehaja.

I tërë procesi i ushtrisë, sipas Qehajes, ndonëse ka ende shumë punë do të përfundojë deri në nëntorin e këtij viti. “Mendoj që rreth 20 nëntorit të këtij viti do të ndodhë edhe leximi i dytë në Kuvendin e Kosovës dhe atëherë ligjet do të hyjnë në fuqi. Tashmë është hapur dera që ne të fillojmë ta ndërtojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me kondita të reja. Pra edhe kjo sfidë do të kalohet në muajin e ardhshëm, kurse në vitet që na presin duhet të fillojmë me ndërtimin e kësaj force me detyra të reja”, ka thënë ai.

Shala: Projektligjet për ushtrinë, të paqarta

Mirëpo ndryshe mendon njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, i cili e ka kritikuar mënyrën se si është duke u formuar ushtria e Kosovës. Shala për “Zërin” ka thënë që tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri janë të paqarta dhe nuk e mbështesin krijimin e ushtrisë në të vërtetë.  “Emrin ‘Ushtri’ të një vendi duhet ta japë kushtetuta. Misionin dhe detyrat kushtetuese prapë t’i jep kushtetuta. Ligji ose ligjet në fjalë, pa u lëshuar në aspektet profesionale dhe në ekspertizën e tyre, kemi të bëjmë me ligje amatoreske, të cilat nuk e mbështesin krijimin e forcave të armatosur”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, Qeveria e Kosovës është ngutur me dërgimin e projektligjeve në Kuvend. “Me ngutjen që bëri Ministria dhe Qeveria me procedimin e ligjit nuk la hapësirë për partnerët tanë që të na i dërgojnë rekomandimet e tyre për veprim, pavarësisht premtimit që u la të kuptohej nga takimi i Brukselit se me t’u kthyer do të fillojmë me ndryshimin e ligjeve, ndërkohë që partnerët do t’i procedonin rekomandimet e tyre për këtë proces”, ka thënë ai.