Haziri tregon se si u përjashtua ideja e Serbisë që të negociojë me Shqipërinë për Kosovën

Aktuale October 19, 2018 - 21:29
Lexo tjera detaje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka zbuluar detaje interesante në takimin e tij me Ministrin e Pushtetit Lokal në Serbi të asaj kohe, Zoran Lonçar, gjatë bisedimeve të Vjenës për statusin final në vitin 2005.

Haziri ka thënë se Kai Aide e kishte përdorur si test këtë takim mes dy ministrave dhe, siç tha, ky takim përfundimisht e ka larguar Shqipërinë si palë në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Kai Aide e kishte përdorë si test këtë takim nëse Kosova është e aftë vetë të negociojë çështjen e saj me Serbinë. Pra, ka qenë ky test që përjashtoi përfundimisht idenë serbe që të negociojë çështjen e Kosovës me palën shqiptare pa Kosovën. Serbia gjithmonë ka tentuar dhe insistuar që të dialogojë me Tiranën për çështjen e Kosovës. Disponimi ndërkombëtar në atë kohë ka qenë i ndarë rreth kësaj ideje nëse duhet të negociojnë për Kosovën Tirana e Beogradi”, ka deklaruar Haziri për Pista.news.

Kohëve të fundit, sipas Hazirit, është aktivizuar kërkesa që Shqipëria me qenë palë në bisedimet finale Kosovë-Serbi, e që për të nuk duket e çuditshme e as befasuese.

“Tash është aktivizuar për herë të tretë, që për mua nuk është e çuditshme e as befasuese, kërkesa që Shqipëria me qenë pjesë e përmbylljes së normalizimit dhe një formulë që çon në mosrespektimin e parimit të mosbashkimit që Kosova e ka në Kushtetutë, sipas Pakos së Ahtisarit, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike që nënkupton formulën “less than Great Albania (Më pak se Shqipëria e madhe)”. Kjo parasheh shpërbërjen e Republikës së Kosovës”, është shprehur Haziri.