Aktuale

Sejdiu: Zgjedhjet në Kosovë janë zgjidhje e bllokadës

Sejdiu: Zgjedhjet në Kosovë janë zgjidhje e bllokadës
19 tetor 2018 • 21 : 05

Lexo tjera detaje

Deputeti që vepron në kuadër në grupit parlamentar të LDK-së, Korab Sejdiu ka deklaruar se zgjedhjet në Kosovë janë zgjidhje e bllokadës.

“Edhe pse kanë kosto financiare, dhe është e lodhshme të shkohet në zgjedhjet e shpeshta, edhe unë mendoj si shumica e deputetëve opozitarë se zgjedhjet janë zgjidhje. Fatkeqësisht ato janë e keqja më e mirë”.

Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini është shprehur kritik ndaj një pjese të opozitës të cilët po i krijojnë kuorumin qeverisë në Kuvendin e Kosovës.

“Sikur opozita të ishte e konsoliduar dhe bojkoti të ishte gjithëpërfshirës, atëherë asnjë vendim nuk do të mund të kalonte në Kuvend, dhe pas dy-tre muajsh vendi do të shkonte në zgjedhje”.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, Sejdiu ka thënë se ekipi i formuar për dialog është një fasadë e krijuar nga Thaçi.

“Çfarëdo bisedime që do të bëhen me Serbinë, do të duheshin zhvilluar nga një qeveri legjitime që do të dalë pas zgjedhjeve, por opozita duhet të vazhdojë edhe me aksione tjera pos bojkotit”.

Deputeti opozitar ka thënë se pozicioni i tij politik për momentin mbetet në shërbim të opozitës, dhe se ende nuk ka vendosur për të ardhmen politike, por ai mendjen e ka të ndarë në rast të një koalicioni të mundshëm LDK-VV.

“Synimi im aktual është forcimi i opozitës. Jemi duke punuar që të formojmë një koalicion ndërmjet LDK dhe Vetëvendosjes”, tha ai, duke shtuar se ka lëvizje pozitive në këtë drejtim.

“Shpresa e vetme për ditë më të mira është formimi i një blloku mes këtyre dy partive që do ta formonin një qeveri legjitime”.

Ish-aktivisti i diasporës ka thënë se ka një iniciativë për ndryshimin e ligjit zgjedhor në mënyrë që diasporës kosovare t’i mundësohet votimi në ambasada apo konsullata.

“Votimi me postë e kemi parë që nuk ka qenë funksional, prandaj ne kemi menduar të iniciojmë disa ndryshime që tu mundësohet votimi i qytetarëve tanë nga diaspora”.

Duke folur për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, Sejdiu ka thënë se dje ka filluar procesi i formimit të ushtrisë.

“Do të filloj puna e mundimshme e transformimit të FSK-së në ushtri. Është një periudhë disa vjeçare, dhe mund të shkojë deri në 10 vite deri në formimin e kapaciteteve të plota”, tha ai.

“Formimi i ushtrisë po bëhet edhe më i vështirë, kur kemi parasysh se ekziston një qeveri që po e falimenton shtetin. Me këto keqpërdorime të parasë publike që po bëhen nuk e di a do të kemi mundësi edhe kapacitet financiar me u ble edhe çorape kësaj ushtrisë që e kemi e lëre me armë të rënda”, deklaroi ndër të tjera Sejdiu.

© zëri.info