MASHT: Procedurat po e vonojnë projektligjin e mësimdhënësve të viteve ’90-ta

Aktuale October 19, 2018 - 20:43
Lexo tjera detaje

Që nga viti 2013, Qeveria e Kosovës i premtoi Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës procedimin në Kuvend të Projektligjit për mësimdhënësit e viteve të '90-ta.

Ky projektligj parasheh pagimin e punëtorëve të arsimit, të cilët dhanë kontributin e tyre për arsimimin në vend gjatë viteve ‘90-ta.

Megjithatë, SBASHK vazhdon me ankesa drejt Qeverisë, por edhe ndaj ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bytyqi.

Sipas SBASHK-ut kërkesat e tyre po gjejnë neglizhim dhe angazhim të paktë nga ministri Bytyqi.

“Projektligji për pagat është degradues për sistemin arsimor dhe i ofroj Ministrit fakte e argumente duke i bërë thirrje që ai si pjesë e Qeverisë ta ngrit zërin dhe të angazhohet, ashti si edhe i takon, që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor në këtë projektligj, por ai nuk bëri as një angazhim frytdhënës dhe përsëri po i mbetet barrë vetëm SBASHK-ut që të angazhohet që të ketë korrigjim në këtë projektligj me qëllim që punëtorët e arsimit të kenë vend meritor”,  thuhet në reagimin e sotëm të SBASHK.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i MASHT-it, Valmir Gashi tha për lajmi.net, se SBASHK duhet ta ketë të qartë se vet ministri ishte ai që e ktheu në Kuvend këtë projektligj, pasi që ishte vetëm si një projektligj pasiv.

“Është vet ministri ai që e dërgoi deri në Kuvend projektligjin, ata duhet ta kenë të qartë këtë pasi ai ka qenë krejt një ligj pasiv. Vullneti dhe ideja e tij është që ky projektligj të ecë sa më shpejtë përpara por janë disa procedura që e kanë frenu atë. Tash duhet të gjendet mënyra për realizimin sa më të shpejtë të tij”, tha Gashi.

SBASHK gjithashtu e cilësoi si gabim emërimin e Komisionit për zhvillim të Strategjisë Nacionale për Arsimin e lartë. Sipas tyre përbërja e këtij Komisioni është gabimi i radhës i ministrit.

Ky reagim i tyre ndaj Komisionit vjen pasi që në të nuk ka përfaqësues nga SBASHK.

“Nga 21 anëtarë të këtij komisioni ka përfaqësues të shoqërisë civile dhe të tjerë, por ka fare pak përfaqësues nga Universitetet, nga Akademia e shkencës dhe nga institutet shkencore. Mungon në këtë listë edhe përfaqësuesi i SBASHK-ut”, thotë SBASHK-u.

Lista të tilla pa përfshirë të merituarit, sipas Sindikatës, mund të jenë mundësi për gabime dhe për ndonjë përjashtim të radhës nga institucionet ndërkombëtare të arsimit.

Por, Gashi thotë se Komisionit vazhdon të mbetet i hapur sepse ende nuk është në fazën përmbyllëse. E kjo sipas tij u tha edhe nga ministri gjatë zhvillimit të tryezave.

“Parimisht ideja për strategji është politik e re e ministrit dhe nuk parashihet me ligj. Është kabineti e ministria që e ka vlerësu se kush mund të jetë pjesë e kësaj, mendoj se është Komision i zgjeruar me ndërkombëtarë e shoqëri civile. Përkundrazi edhe Universiteti është pjesë, përmes prorektorit Hysen Bytyqi që ka qenë pjesë e tryezës së rrumbullakët për këtë temë. Ministri ka theksuar se kjo ende është e hapur edhe për palët tjera, të cilët mendojnë se mund ta japin kontributin e vet në këtë strategji, do të thotë se ende nuk është mbyllur asgjë”, tha ai për lajmi.net.

Theksojmë se Projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, ka kaluar shqyrtimin e parë tash pritet të kalojë në shqyrtimin e dytë, gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës.