Çavusoglu: FETO mund të bëjë akt terrorist edhe në Kosovë, na i ktheni gylenistët

Aktuale October 19, 2018 - 18:53

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlud Çavusoglu, ka thënë që kosovarët nuk duhet t'i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat e FETO-s pasi ajo është organizatë terroriste. Ai po ashtu ka porositur që t'i kthehen Turqisë edhe persona të tjerët të cilët kanë mundur të jenë përfshirë në tentim-puçin e fundit në Turqi. Këto komente ai i bëri në një konferencë për media pas takimit që e zhvilloi me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, shkruan zeri.info

"Shkolloni fëmijët në institucionet e TIKA-s. Mos lejoni që fëmijët të anëtarësohen në shkollat terroriste të FETO-s sepse ata janë organizatë terroriste dhe mund të kryejnë akt terrorist edhe në Kosovë pas atij në Turqi. Dorëzonani ata që janë përfshirë në tentim-puçin e fundit sepse edhe ne do t'jua dorëzonim", ka thënë Çavusoglu.

Çavusoglu tutje e ka konsideruar Kosovën si vend mik dhe është zotuar se po lobon tek vendet që se kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë atë, angazhim ky të cilin tha se e ka qëkur ishte në Këshill të Europës.

Ai po ashtu ka potencuar se Turqia po punon në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në organizata europiane e euro-atlantike dhe se do të vazhdojnë me ndihma e marrëveshje në ekonomi e arsim.

Ndërkohë edhe ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, e ka falënderuar Çavusoglun dhe ka thënë se janë dakorduar që të vazhdohet bashkëpunimi e të nënshkruhen marrëveshje në shumë fusha.

"Folëm për tema shumë të rëndësishme, u morëm vesh për bashkëpunim në shumë fusha: në ekonomi, arsim etj. E informova edhe për dialogun dhe zhvillimet e tjera të fundit", ka thënë Pacolli, i cili e konsideroi Çavusoglun "mik historik".

Pacolli foli edhe për situatën e cila po shfaqet në kohën kur po flitet për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Ai shprehu shqetësimin se rreth 17 shtete, nga të cilat 90 % të cilat e kanë njohur Kosovën nuk e kanë paguar anëtarësimin vjetor dhe mund të mos kenë të drejtë për të votuar.

Kujtojmë që ministri i jashtëm turk paraprakisht ishte për vizitë në Tiranë kurse do të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi. /ZERI 

Image