Putin: Kosova nuk ka mbajtur referendum për ta shpallur pavarësinë, Krimea po

Aktuale October 19, 2018 - 11:18
Lajmet e fundit nga vendi

Presidenti rus Vladimir Putin, ka deklaruar se Krimea nuk është ruse sepse rusët kanë ardhur dhe kanë rrëmbyer diçka, por është për atë se banorët e saj përmes referendumit kanë kërkuar t’i bashkohen Rusisë, transmeton Zeri.info.

“Krimea është e jona... Pse e jona? Jo pse kemi ardhur dhe kemi grabitur diçka”, ka thënë Putin gjatë një tubimi debatues. “Këtu mbretëron demokracia. Çka është demokracia? Është pushteti i popullit. Si vendoset ajo? Përmes referendumit, zgjedhje, etj. Njerëzit kanë dalë në referendum në Krime dhe kanë votuar: Duam të jemi, a) të pavarur, hapi tjetër – duam të jemi pjesë e federatës ruse”, ka sqaruar Putin.

Presidenti rus po ashtu e ka krahasuar këtë situatë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kur vendimi është marrë pa mbajtur referendum, në bazë të votimit në parlament, ku më pas ishin pajtuar të gjithë ata që e kanë mbështetur shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

“Eja të diskutojmë, të shikojmë dokumentet e OKB-s, të shohim cila është konventa e Kombeve të Bashkuara, ku shkruhet për të drejtën e popujve për vetëvendosje. Do të diskutojmë pafund. Por ne nisemi nga vullneti i njerëzve që jetojnë në këtë territor", ka përfunduar Putin./ZERI