Kryetari i kësaj komune dhuron banesën për bamirësi

Aktuale October 19, 2018 - 10:27
Lajmet e fundit nga vendi

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka dhuruar banesën e tij për një familje e cila ishte në listën e kategorive të dala nga lufta, raporton “Zëri.info”.

Kjo banesë nga Kastrati është liruar pas marrjes së postit të kryetarit të Komunës së Kamenicës.

Përfitues i kësaj banese është Milazim Hasimi i cili ka qenë i pari në listat e pritjes.

Ky është postimi i plotë nga faqja zyrtare e Komunës së Prishtinës:

Në listën e kategorive të dala nga lufta për të cilat Komuna e Prishtinës kishte ndarë banesë vite më parë, ishte edhe familja e dëshmorit të kombit, Isa Kastrati.

I biri i tij, Kryetari i sotëm i Kamenicës, Qëndron Kastrati, pasi që u zgjodh në post publik e liroi banesën me kërkesë që ajo t’i ndahet ndonjë familjeje tjetër qoftë nga kategoritë e dala nga lufta, qoftë nga rastet sociale. Çelësat e asaj banese sot i ka z. Milazim Hasimi, i cili ishte i pari në listën e pritjes nga familjet me gjendje të rëndë sociale, për të siguruar strehim në një banesë të tillë.

Duke falënderuar z. Kastrati për një veprim të tillë, urojmë që ky shembull të ndiqet edhe nga të tjerët, ashtu që banesat e tilla të jenë në dispozicion për familjet në nevojë. /ZËRI