Haradinaj i kundërpërgjigjet NATO-së për ushtrinë

Aktuale October 19, 2018 - 09:37
Lajmet e fundit nga vendi

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur lidhur me reagimin e NATO-së pas votimit të tri projektligjeve të FSK-së që i hapin rrugë krijimit të ushtrisë së Kosovës, raporton “Zëri.info”.

Sipas tij NATO është një institucion serioz vendimmarrës dhe se Kosova ka komunikim të vazhdueshëm me ta.

“E dini që tani ne mundemi marrë pikëpamje të caktuara gjithkund. NATO është një institucion vendimmarrës serioz. Nuk flet as përmes askujt, por kanë një sekretar të NATO-së e veç e veç njerëz, e ne kemi komunikim të vazhdueshëm me ta. Prandaj këtë duhet ta dinë gjithkush”, ka thënë Haradinaj.

LEXO EDHE: Pas votimit në Kuvend për FSK-në, vjen reagimi i NATO-së

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë që ushtria e Kosovës nuk do të ketë kompetenca shtesë por që do të i ndryshohet vetëm mandati.

“Ne po ashtu jemi në komuniko të vazhdueshëm me shumë vende anëtare të NATO-së si me Amerikën, Gjermaninë, Anglinë dhe procesi i mandatimit të ushtrisë, mos bëni gabime të thoni se ka kompetenca shtesë, ka vetëm një mandat të ri dhe kurgjo mangu nuk ka në mandat. FSK është si ushtri e secilit vend. Nuk ka të bëj me kompetenca më shumë a më pak. Ka të bëj me mandat. Është një mangësi që nuk i kemi ndërruar emrin por në Gjermani nuk quhet ushtri, por Forca të Sigurisë”, ka thënë tutje ai.

Haradinaj është shprehur i bindur që Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e NATO-së.

“Ne jemi thellë të bindur dhe falënderojmë NATO-në për punën që po bën për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ne jemi në NATO mos keni dilema për këtë aspekt”, ka thënë ai.

Në anën tjetër për sa i përket kohës se kur do të bëhet përfundimisht ushtria e Kosovës, Haradinaj ka deklaruar se ajo do të kryhet në leximin e dytë në Kuvendin  Kosovës.

“Ushtria kryhet edhe në lexim të dytë. Kosova bëhet me ushtri si çdo vend tjetër. Vendimi është nacional. Ushtria nuk bëhet në plan ndërkombëtarë. Anëtarësimi në NATO është një proces që kërkon miratim të të gjithëve, ndërsa ushtria e vendit bëhet me miratimin e ligjeve, buron nga kushtetuta nga proceset dhe nga konsultat. Por është një proces nacional”,  ka përfunduar ai për sa i përket kësaj çështje. /ZËRI