Pacolli: Serbia propagandoi sot, ushtria do të themelohet

Aktuale October 18, 2018 - 18:29
Lajmet e fundit nga vendi

Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka deklaruar se pavarësisht propagandës nxitëse nga qeveria e Beogradit, Kuvendi i Kosovës do ta themelojë ushtrinë e Kosovës, raporton “Zëri.info”.

“Propaganda nxitëse e urrejtjes në Serbi, e sponsorizuar nga Qeveria e Beogradit sot vazhdoi me shpifjet për gjoja fyerjet që deputetët e Kuvendit të Kosovës bënë ndaj kolegëve të tyre serb. Kushdo që e ka përcjellur seancën e Kuvendit, e transmetuar drejtpërdrejtë nëpër të gjitha televizionet vendore dhe gazetarët ndërkombëtar prezent, e kanë vërejtur se realiteti ka qenë krejtësisht tjetër. Përkundrazi, sot, në Kuvendin e Kosovës atmosfera ishte e qetë dhe festive”, ka shkruar Pacolli në një postim në “Facebook”.

Tutje ai ka shkruar se Kuvendi i Kosovës do ta themelojë ushtrinë e Kosovës duke respektuar ligjin dhe në mënyrë tërësisht demokratike.

LEXO EDHE: Gjuriq: Vendimi i Prishtinës për Ushtrinë mund të ketë pasoja të paimagjinueshme

“Në mënyrë plotësisht ligjore dhe duke respektuar në plotëni procedurat demokratike, Kuvendi I Kosovës themeloi ushtrinë e Republikës, si një forcë mbrojtëse ushtarake në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie e religjioni. Ushtria jonë, e trajnuar sipas standarteve më të larta të NATO-s do të jetë e gatshme po ashtu që të shërbejë nëpër misione paqeruejtse në botë, përkrah vendeve liridashëse me aspiratën sublime për t`u anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike. Një falenderim I madh për secilin deputet nga të gjitha komunitetet që votuan PËR”, përfundon postimi i tij.

Më shumë se 100 deputet sot në leximin e parë votuan pro tri projektligjeve për ushtrinë: atë për Ministrinë e Mbrojtjes, për FSK-në dhe për shërbimin e FSK-së. /ZËRI