Hoti: Frika e serbëve të Kosovës për ushtri sajesë e Vuçiqit

Aktuale October 18, 2018 - 15:41
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar rreth fjalëve se serbët e Kosovës ndjejnë frikë me themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka hedhur poshtë çdo fjalë, e cila paraqet serbët e Kosovës si viktima.

Këto zëra i ka quajtur si sajesa të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, fati i serbëve të Kosovës do të ndryshoj përfundimisht kur Beogradi do të pushoj t’i përdorë ata për interesa politike.

Postimi i plotë i Hotit:

“Vuçiqi pandalshëm sajon gënjeshtra për t’i paraqitur serbët e Kosovës viktima. Sipas kësaj strategjie, sa më e pavarur Kosova aq më keq janë serbët.

Fati i serbëve në Kosovë nuk do të ndryshoj as nga largimi i UNMIK-ut, as nga FSK-ja me mandat të ri.

Fati i serbëve të Kosovës do të ndryshoj përfundimisht për të mirë atëherë kur Beogradi të pushoj t’i përdorë ata për interesa politike ditore të Vuçiqit dhe ta njoh shtetin e Kosovës. Sa më heret, aq më mirë për të gjithë.”