Nagavci: Ndryshimet nëpër ministri, kalkulime partiake

Aktuale October 18, 2018 - 15:01
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Emërimi i dy ministrave të rinj gjatë kësaj jave nuk është pjesë e ndonjë riformatimi rrënjësor të qeverisë “Haradinaj”, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime të vogla në të ardhmen, shkruan "Zëri". 

Duke folur për emërimin e ministri të ri të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe të atij të Mjedisit Fatmir Matoshit, në Zyrën e Kryeministrit kanë mohuar për gazetën “Zëri” mundësinë e riformatimit rrënjësor.

“Nuk do të ketë riformatim rrënjësor të Qeverisë. Kërkesa për zëvendësimin e ministrave nga AKR-ja ka ardhur nga kjo parti e koalicionit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Në anën tjetër, përfaqësues të subjekteve opozitare konsiderojnë që ndërrimet e udhëheqësve të dikastereve ministrore janë vetëm lojëra të koalicionit qeverisës. 

Arbërie Nagavci, nga Lëvizja Vetëvendosje, për “Zërin” ka thënë që ndryshimet në udhëheqjen e ministrive vërtetojnë që interesi parësor i koalicionit qeverisës është ai personal.

Sipas saj, të gjitha këto po bëhen për shkak të kalkulimeve partiake.

“Ky është një sinjal i qartë që kemi të bëjmë me kalkulim të përfitimeve personale të individëve të caktuar dhe sa më parë që kjo qeveri të hiqet, aq më mirë. Riformatimi i Qeverisë nuk do të bëhet duke rishikuar funksionalizimin e saj në aspekt të ruajtës së buxhetit dhe efikasitetit të punës, pra nuk do të kemi në asnjë moment zvogëlim të zëvendësministrave ose të ministrive, por vazhdimisht kemi shpikje të reja të vendeve të punës dhe moskryerje të punës nga persona që emërohen në pozita të caktuara”, ka thënë më tutje ajo. /ZERI