Murati: Haradinaj nuk ka kontroll mbi ministrat e vet

Aktuale October 18, 2018 - 11:20
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Emërimi i dy ministrave të rinj gjatë kësaj jave nuk është pjesë e ndonjë riformatimi rrënjësor të qeverisë “Haradinaj”, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ndryshime të vogla në të ardhmen.

Duke folur për emërimin e ministri të ri të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe të atij të Mjedisit Fatmir Matoshit, në Zyrën e Kryeministrit kanë mohuar për gazetën “Zëri” mundësinë e riformatimit rrënjësor. 

“Nuk do të ketë riformatim rrënjësor të Qeverisë. Kërkesa për zëvendësimin e ministrave nga AKR-ja ka ardhur nga kjo parti e koalicionit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Në anën tjetër, përfaqësues të subjekteve opozitare konsiderojnë që ndërrimet e udhëheqësve të dikastereve ministrore janë vetëm lojëra të koalicionit qeverisës.

Ndërsa njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë që kryeministri Haradinaj nuk ka kontroll mbi ministritë, përderisa thonë se ndërrimet brenda dikastereve po bëhen vetëm për interesa partiake. 

Artan Murati, nga KDI-ja, ka thënë që vendimet për ndërrim të udhëheqësve të ministrive të caktuara vijnë si pasojë e koalicionit të brishtë qeveritar.

“Mënyra si është lidhur koalicioni qeverisës, që secili subjekt politik është përgjegjës për ministrat e vet, e limiton nivelin llogaridhënës që mund të jetë brenda kabinetit qeveritar dhe mënyrën sesi do të funksionojë ose sa unitar do të jetë kabineti qeveritar. Kjo për faktin se tash nëse një ministër nuk është shumë i dëgjueshëm ndaj shefit të partisë, ai ka gjasa shumë të mëdha që të përfundojë jashtë Ministrisë, edhe nëse është duke e bërë një punë të mirë në ekzekutiv”, ka thënë ai për “Zërin”.

Murati vlerëson se kryeministri aktual nuk ka kontroll mbi ministrat.

“Kryeministri Haradinaj nuk ka kontroll për vetë ministrat që do të duhej t’i udhëhiqte. Mendoj që këto janë praktika të gabuara dhe vetë fakti se brenda një ministrie për gjashtë muaj ndërrohen tre ministra kjo nuk është aspak serioze dhe mund të ndikojë direkt edhe në performacën e Ministrisë në përgjithësi, sepse po flasim për njërën nga ministritë më të rëndësishme, ku i gjithë spektri i sigurisë varet prej kësaj ministrie”, ka thënë ai./ZERI