Kurti: Në shtetin e kapur, qeveria nuk është as e popullit dhe as për popull

Aktuale October 17, 2018 - 22:56
Lajmet e fundit nga vendi

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka kujtuar gjashtë mujorin e publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën e në të cilin sipas Kurtit janë cekur shumë vlerësime për gjendjen aktuale në vend, raporton “Zëri.info”.

Kurti në këtë postim ka shkruar që qysh nga ajo kohë këto vlerësime vetëm sa janë thelluar dhe se shteti është kapur.

Sipas tij qeveria më nuk është as e popullit e as për popullin.

Më poshtë mund ta gjeni postimin e plotë të tij:

Midis shifrave që flasin dhe fjalëve që deshifrohen

Sot u bënë gjashtë muaj nga publikimi i Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën i cili mbulonte periudhën tetor 2016 - shkurt 2018. Prapambetja institucionale dhe mjerimi social vetëm sa janë rritur që prej atëherë.

Sepse, skandalet e keqqeverisjes vetëm sa janë shtuar që prej atëherë. Raporti dominohej nga vlerësime si këto: politizim i vazhdueshëm i administratës publike, gjyqësor i nënshtrueshëm ndaj ndikimit politik, mungesë profesionalizmi, kredibiliteti e përkushtimi të gjykatësve e prokurorëve pa asnjë rast të shkarkimit të tyre, korrupsion gjerë i përhapur, asnjë progres në adresimin e çështjeve mjedisore, emërime të tepërta e në rritje të pjesëtarëve të qeverisë, mungesë e transparencës dhe llogaridhënies së qeveritarëve, moszbatim i komasacionit të tokës, zona ekonomike dhe parqe industriale pa plan dhe pa analizë, sektor i sigurimeve me mbikëqyrje të dobët, pa përmirësim në cilësinë e arsimit dhe në hendeqet e shkathtësive në tregun e punës, edhe shpenzime shumë të ulta për nxënës edhe faturë e përqendruar te pagat, aspak buxhet për hulumtime shkencore, rritje e deficitit tregtar etj.etj. Raporti përmbante edhe shifra si këto: shkalla e kujdesit të hershëm fëminor është vetëm 4,4% kurse e regjistrimit në parashkollor 33,9%, shkalla e përgjithshme e punësimit është 30%, vetëm 13% të grave kanë punësim formal, vetëm 29% të të punësuarve kanë kontrata të përhershme pune, shkallë e lartë e papunësisë prej 26,7% te të diplomuarit e arsimit të lartë, papunësia te të rinjtë plot 51,6% ndërkaq 11% e fëmijëve të angazhuar në punë, rritje e aksidenteve në vend të punës prej të cilave 14 nga 50 ishin fatale etj. etj.

Në shtetin e kapur, qeveria nuk është as e popullit dhe as për popull. /ZËRI