Sherifi: Gjenocidi mbi shqiptarët, shkak që Serbia po pengon anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Aktuale October 17, 2018 - 17:17
Lajmet e fundit nga vendi

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka deklaruar se pas pengimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nga ana e Serbisë është duke qëndruar fshehja e gjenocidit nga Serbia, raporton “Zëri.info”.

Sherifi ka kërkuar që krimi e gjenocidi i serbëve gjatë luftës së fundit në Kosovë të zbardhen në tërësi.

LEXO EDHE: Si po i keqinterpreton Presidenti dokumentet e Brukselit për ndryshimin e kufijve

Më poshtë postimi i Sherifit:

Pengimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është në funksion të fshehjes së gjenocidit!

Pengimi që Serbia i bën anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL është në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit të gjenocidit!

Vetëm një ditë pas rrëfimit në publik të Vasfije Krasniqit për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës së fundit si viktimë e dhunës seksuale, dhunë që sipas të drejtës ndërkombëtare përbën krim të gjenocidit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq jo vetëm nuk i dënon krimet e kryera në Kosovë, por duke u angazhuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol, vihet në mbrojtje të krejt zinxhirit komandues të forcave të shtetit të tij si dhe të kryesve të krimit të gjenocidit sepse duke i mbrojtur këta ai shpreson se do të arrijë ta fshehë të vërtetën!

E gjithë shoqëria jonë me tërë mekanizmat e shtetit duhet të vihet në veprim që krimi i gjenocidit i kryer nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë të ndriçohet në tërësi.

Krimi i gjenocidit nuk harrohet! Ai do të mbetet në kujtesë të njerëzimit. Pa ndëshkimin e kriminelëve që kryen krimet më të rënda në Kosovë dhe pa vënien në vend të drejtësisë as që mund të flitet për pajtim mes të dy popujve! /ZËRI